“Liza” i kaloi 15 vjet në arrati, bënte jetë normale në Prishtinë

Prishtina

“Liza” i kaloi 15 vjet në arrati, bënte jetë normale në Prishtinë

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 08:21
Foto ilustrim

Ilir Abdullahu, i njohur si Liza, i arrestuar gjatë kësaj vere pas 15 vjetësh në kërkim, si një nga të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, është liruar nga paraburgimi. Kjo pasi që ka deponuar 100 mijë euro dorëzan. Avokati i Ilir Abdullahut, ka treguar se klienti i tij, shumicën e kohës nga 15 vitet që ka qenë në kërkim, i kishte kaluar në Prishtinë.

15 vjet iu deshën organeve të rendit që t’i bien në gjurmë Ilir Abdullahut. E, kur i dyshuari për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza u arrestua, pas vetëm tre muajsh, masa e paraburgimit atij iu zëvendësua me dorëzani.

Kështu, prishtinasi përballjen me drejtësinë, nga e hëna po e vazhdon nga liria.

Abdullahu, që në gjithë kryeqytetin njihet si “Liza”, ishte në arrati që prej ditës kur ndodhi nga rasti tragjik.

Në gjithë këto vite, avokati i tij thotë se “Liza” qëndroi në vendlindje.

“Ky nuk ka pasur fare dokument të udhëtimit që të udhëtoj e të arratiset e të dal jashtë Kosovës. Ndoshta ka mujtë me shku deri në Shqipëri që nuk ka nevojë pasaportë, në sezonin e pushimeve ose në Mal të Zi, përndryshe ai në arrati konsiderohet sipas shkresave, por ai ka qenë në shtëpi të vet”, ka deklaruar Ramë Dreshaj – Avokat i Ilir Abdullahut.

Avokati Dreshaj konfirmon se për shkak se ishte në kërkim, Abdullahu për 15 vjet nuk u interesua që të pajisej me letërnjoftim.

“Është e vërtetë, vetëm kur ka ra në burg është interesu për me nxjerrë letërnjoftimin. Ai e ka ditë që është duke u lypë, nuk është që se ka ditë”, ka shtuar Ramë Dreshaj – Avokat i Ilir Abdullahut.

Televizioni Dukagjini ka dërguar disa pyetje në Prokurorinë Speciale dhe në Policinë e Kosovës, se çfarë hetimesh kanë ndërmarrë për arrestimin e Abdullahut, mirëpo deri tash nuk ka pranuar përgjigje.

E, në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës shihet se Abdullahu deponoi në arkën e gjykatës 100 mijë euro.

Këtë veprim, gjykata e ka konsideruar si një garanci se i pandehuri nuk do të arratiset përsëri.

Vendimi nuk është pritur aspak mirë nga babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza.

“S’kam si e kualifikoj vetëm si çështje skandaloze. Prandaj them se janë këto mundësi për të ndikuar organet e drejtësisë, se kjo nuk shkon kështu”, ka theksuar Shefqet Riza – Babai i Triumg Rizës.

Në mbi një dekadë e gjysmë, avokati Dreshaj tregon se Abdullahu ka jetuar një jetë sikur të gjithë të tjerët.

“Tregtar është, tregtar… Të ardhura mujore rreth gjashtë mijë euro. Po, tregtar është, kështu është. Do të thotë nuk është ky bash ashtu siç po mendon dikush me e pagu, e me i thanë pastaj kryj vepra. Ky e ka jetën e vet”, ka përfunduar Ramë Dreshaj – Avokat i Ilir Abdullahut.

Ilir Abdullahu, bashkë me Fitim Avdiun, Rrahim Abdullahun e Arben Berishën janë katër personat që dyshohet se e privuan nga jeta policin Triumf Riza.

Prej tyre, Arben Berisha është dënuar me 30 vjet burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat