Çka po ndodh me Unazën e Jashtme të Prishtinës, Xhaferi: Kërkuam mbështetje nga Kurti, por nuk qe aq i hapur

Prishtina

Çka po ndodh me Unazën e Jashtme të Prishtinës, Xhaferi: Kërkuam mbështetje nga Kurti, por nuk qe aq i hapur

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 00:25
Krenar Xhaferi

Krenar Xhaferi, Drejtori i Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, në DPT te Fidani ka folur për projektin e Unazës së Jashtme që ka kohë që është pjesë e diskursit publik në kontekstin e investimeve kapitale në kryeqytet.

Ai ka thënë se deri tash është punuar në finalizim të projektit pastaj për ta hudhur në diskutim publik në kuvendin komunal.

“Unaza e Jashtme e Prishtinës është 23 km, komplet i kap lagjet në periferi. Pra, nëse vjen prej Veternikut, mundesh me hy në unazën e mesme dhe kalon direkt deri te bazeni i Gërmisë, pra nuk e pengon komunikacionin brenda Prishtinës”.

“Ne jemi në finalizim të projektit për me e hudh në diskutim publik. Pra, kemi punu në projektin e Unazës së Jashtme, në finalizim të projektimit, pastaj për me vendosë pjesën e realizimit të projektit”, tha Xhaferi.

I njëjti ka tërhequr një paralele se, për çdo vit që kalon, shpenzimet për projektin e Unazës rriten.

“Nëse Unaza e Jashtme do të ishte realizu në vitin 2010, kostoja do të ishte 120 milionë euro, tash, sa po flasim ne, kushton 350 milionë euro. Nëse nuk e kemi një përkrahje të nivelit qendror në këtë drejtim atëherë pas 5 viteve kushton 700 milionë euro, nëse pas 10 viteve 1 miliard euro. Ky pra është absurditeti i një investimi te ne në Kosovë”.

Ai tregoi se para 10 ditësh, bashkë me kryetarin Përparim Rama, ka pasur takim me kryeministrin Kurti në Qeveri, por që nuk ka rezultuar dhe aq i suksesshëm.

“Ne e kemi zhvillu një takim me kryeministrin para dhjetë ditësh, unë bashkë me kryetarin Rama. Kemi kërku, nëse mundeni ta realizoni si të tillë, atëherë ne nuk do të jemi as në prerjen e shiritit sepse për ne është e rëndësishme të realizohet si e tillë. Jo vetëm shiritin, por edhe promovimin, vetëm të realizohet”.

“Kryetari Rama i ka dhënë afat një muaj ditë për përgjigje, ndërsa kryeministri ka thonë që javën që vjen do t’ju njoftojmë se kur do t’ju njoftojmë për përgjigje që do t’i merni. I bjen java e kalume, ne nuk kemi marrë asnjë njoftim.”

Mirëpo tha se, në mos me mbështetje të pushtetit qendror, zhvillimi i projektit do të bëhet përmes metodave alternative, me donatorë.

“Në fillim të dhjetorit, do ta bëjmë konferencën e donatorëve dhe duhet të gjejmë alternativa që t’i kapim këto projekte të mëdhaja dhe t’i realizojmë”, deklaroi Xhaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat