Çka thuhet në aktakuzën ndaj kompanisë “Sallahu” që po ndërton “Rrugën A”?

Prishtina

Çka thuhet në aktakuzën ndaj kompanisë “Sallahu” që po ndërton “Rrugën A”?

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 13:14
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 3 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj personit juridik-kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k dhe dy personave fizikë: Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe ndaj Naim Sallahut.

I pandehuri Lulzim Sallahu, në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k dhe “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, po akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa i pandehuri Naim Sallahu po akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”.

Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, bëhet e ditur se i pandehuri Lulzim Sallahu dhe i pandehuri “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, më 5 shtator 2019 në Prishtinë, në cilësinë e pronarit të “SA Sallahu” sh.p.k., me rastin e aplikimit në procedurat e prokurimit publik në projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me vetëdije, me qëllim të mashtrimit si dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, ashtu që kompania e tij “SA Sallahu” sh.p.k, të shpallej fituese e kontratës për projektin në fjalë, kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të N.M, I.F, B.K., dhe L.G.

Sipas aktakuzës, këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të lartpërmendurit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë dhe se kishin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.

Ndërkaq, i pandehuri Naim Sallahu në vitin 2019, me qëllim që t’ia mundësojë vëllait të tij të pandehurit Lulzim Sallahu që përmes kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k., të plotësonte kushtet e Autoritetit Kontraktues përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës, të shprehura në njoftimin për kontratë lidhur me projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, respektivisht kinse i njëjti kishte në përbërje të stafit të tij të angazhuar inxhinierë me përvojë, kishte përpiluar dhe nënshkruar referencat e cekura si në dispozitivin I, me përmbajtje të rreme.

Kujtojmë se kompania “Sallahu”, ka kontratë për ndërtimin e “Rrugës A”, për të cilën Gjykata Komerciale më 17 tetor 2023, e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.

Aty, ndër të tjera thuhet se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi dhe pezullimi i aktiviteteve të prokurimit, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues- Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale është më se i duhur që të ruhet interesi publik dhe se Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi për shpërblimin e OE “Sallahu” me kontratë, drejtori i të cilës kompani është i dënuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.

“Kjo ngase Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu Sh.p.k. Drejtori i të cilit është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar nga neni 398 par.2 të KPRK-së, në mënyrë që ta vlerësoj përshtatshmërinë e OE të zgjedhur, në përputhje me dispozitat imperative ligjore”, thuhet në vendim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat