​LDK bojkoton seancën për votimin e faljes së tatimit në pronë në kryeqytet

Prishtina

​LDK bojkoton seancën për votimin e faljes së tatimit në pronë në kryeqytet

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 18:14
Foto ilustrim

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, nga shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, u propozua që sot të merret vendimi pro faljes së tatimit në pronë në vlerë 100 euro. Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bojkotuar seancën, për çka mori kritika nga përfaqësuesit e partive tjera të pranishme. Në këtë seancë nuk është i pranishëm as kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Ndërsa, pjesë e kësaj seancë të jashtëzakonshme janë asamblistët e PDK-së, LVV-së, AAK-së dhe AKR-së, të cilët patën replika të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit lidhur me vendimin për faljen e tatimit në pronë për qytetarët për vitin 2023.

Shefi i asamblistëve nga LVV, Gëzim Sveçla derisa lexoi propozimin për faljen e tatimit në pronë, tha se një gjë e tillë vlen për të gjithë tatimpaguesit dhe se shuma për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme do të jetë jo më shumë se 100 euro.

Sveçla potencoi se në rast se tatimpaguesit kanë paguar faturën e tatimit për pronën e paluajtshme për 2023, shuma e falur të llogaritet si paradhënie për vitin pasues.

Sveçla: Miratohet vendimi për faljen e paluajtshme për vitin tatimor 2023

“Kuvendi i kryeqytetit në mbledhjen e mbajtur 07.12.2023 merr këtë vendim për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023. Miratohet vendimi për faljen e paluajtshme për vitin tatimor 2023. Falja e tatimit në pronë vlen për të gjithë tatimpaguesit e kryeqytetit për vitin tatimor 2023. Shuma për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme do të jetë jo më shumë se 100 euro. Në rast se tatim paguesit kanë paguar faturën e tatimit për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, shuma e falur llogaritet si paradhënie për vitin pasues. Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdeset Drejtoria e financave, Sektori i tatimit në pronë. Ky tatim hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit të protokollit të Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe 7 ditë pas publikimit në ueb-faqen e komunës”, tha Sveçla.

Lidhur me këtë propozim, foli asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Leotrim Retkoceri, i cili tha se nuk do të miratohen propozimet që nuk kanë për qëllim mbrojtjen e interesit publik, derisa shtoi se janë të gatshëm të bëjnë propozime për mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e vlerës enorme të tatimit në pronë.

Retkoceri: Propozimet që nuk mbrojnë interesin publik, s'do t’i miratojmë

“Ne sot do të ushtrojmë kompetencën tonë për ta aplikuar zbritjen e rritjes së vlerës të tatimit për pronë, banesa dhe shtëpi të qytetarëve të kryeqytetit... Ne sot kërkojmë që të hiqet barra e rritjes së tatimit në pronë për qytetarët. Vetëm qytetarët mund ta falin apo jo pushtetin që rrit tatime, ndërsa proklamimi për falje është mashtrim...Propozimet të cilat nuk kanë dakordim dhe nuk kanë për qëllim mbrojtjen e interesit publik, ne si PDK nuk do t’i miratojmë, por do të jemi të gatshëm të bëjmë propozime të cilët i mbron qytetarët nga rritja e vlerës enorme të tatimit”, tha Retkoceri.

Ndërkaq, replikat mes Retkocerit dhe Sveçlës kanë vazhduar, derisa është diskutuar nëse ligji për faljen tatimit në pronë do të duhej të vlente vetëm për këtë vit, apo mund të vazhdohet edhe për më tutje.

Ndërsa, përfaqësuesi nga grupi i asamblistëve të AAK-së, Bahri Gashi tha se përkrah propozimin për faljen në pronë të 100 eurove, pasi sipas tij se ky propozim është një ndihmesë për qytetarët e Prishtinës.

Edhe përfaqësuesi i grupit të AKR-së, Gëzim Mhemeti, u shpreh pro faljes së tatimit në pronë, teksa kritikoi grupin e LDK-së për bojkotim të seancës.

Mehmeti: Qytetarëve t’iu falen 100 euro, është punë shumë e madhe

“Qytetarëve në këtë krizë ekonomike t’iu falen 100 euro është punë shumë e madhe. Ne e dimë gjendjen sociale në Kosovë dhe po ta bëjmë këtë për të cilën kemi votuar dhe jemi thirrur kjo tregon demokraci, kjo tregon se jemi me vullnetin e qytetarëve dhe kërkesën e tyre…Është për keqardhje, partia e cila ka kryetarin nuk merr pjesë, aty ku bisedohet, debatohet në kuvendin, në organin më të lartë legjislativ çështja e kërkesave dhe vullnetin të qytetit të Prishtinës. Unë mendoj që të votohet propozimi e shikojmë bazën ligjore sa janë hapësirat në aspektin juridik”, tha ai.

Po ashtu, edhe Endrit Zabërxha nga Nisma tha se janë pro faljes se tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurove.

Ndërkaq, drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, tha se nëse merret vendimi pro faljes së tatimit në pronë, komunës do t’i kushtojnë mbi 9 milionë euro humbje për vitin 2024.

Makolli: Komuna e Prishtinës për 2024 do të ketë humbje mbi 9 milionë euro

“Në vitin 2023/2024 apo numri i fatura, prej tyre nga sistemi protaksë i Ministrisë së Financave janë regjeneruar 92 mijë e 55 fatura. Prej 1 deri në 100 euro kemi tatim pagues ose fatura 47 minë e 933 që i bie më shumë se 52 për qind e tatim paguesve. Faturat mbi 100 euro janë 44 mijë e 123 fatura. Propozimi qe e ka bërë kryetari për faljen e diferencës rritja që është në mes vitit 2022 dhe 2023 është një shumë më e vogël se ajo që është propozuar në kuvend komunal. Prej 92 mijë e 56 faturave nëse falen secilit nga 100 euro, Komuna e Prishtinës për vitin 2024 do të ketë një humbje prej here 100 prej 9 milionë e 200 mijë e 56 mijë euro”, tha Makolli.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës javë më parë vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat