Rama: Për vetëm 10 ditë, mbi 130 mijë qytetarë u bënë pjesë e festave në Prishtinë

Prishtina

Rama: Për vetëm 10 ditë, mbi 130 mijë qytetarë u bënë pjesë e festave në Prishtinë

Më: 8 janar 2024 Në ora: 17:07
Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se në 10 ditët e fundit të dhjetorit 2023, mbi 130 mijë qytetarë u bënë pjesë e festave në Prishtinë.

“Mbi 130 mijë qytetarë, shumë prej tyre vizitorë nga vende të ndryshme, për vetëm 10 ditët e fundit të dhjetorit 2023, u bënë pjesë e festave në Prishtinë”, shkroi Rama në llogarinë e tij në Facebook.

I pari i kryeqytetit shtoi se edhe një herë u tregua përmes këtyre festave se sa vibrant, i veçantë dhe i ngrohtë është Prishtina.

“Sheshet tona, rrugët e lagjet e ndryshme janë mbushur me qytetarë si kurrë më parë. Bisedat me njëri – tjetrin të shoqëruara me kafen, çajin apo verën e ngrohtë nën tingujt e magjishëm të këngëve tona të interpretuara mrekullisht nga artistët tanë, na treguan edhe njëherë se sa i veçantë, vibrant e i ngrohtë është kryeqyteti ynë”.

Ai po ashtu tha se intervenimet për një kryeqytet më të mirë për qytetarët do të vazhdojnë.

“Në Prishtinë, këtë vit në hapësirat publike, hapësirat e qytetarëve, do të vazhdojmë me  intervenimin në shtimin e gjelbërimit, krijimin e këndeve për fëmijë, shtimin e ndriçimit publik dhe rregullimin e disa prej tyre me kalldrëm”.

“Do të organizojmë super festivale, koncerte, lojëra e shumëçka tjetër, për të sjellë momente të veçanta për të gjithë ne, sepse kemi projekte me të cilat do t’ua kthejmë hapësirat publike qytetarëve”, ka shkruar Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat