​Sfidat me të cilat u përball “Prishtina Parking” gjatë 2023-së

Prishtina

​Sfidat me të cilat u përball “Prishtina Parking” gjatë 2023-së

Më: 10 janar 2024 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Viti 2023 për ndërmarrjen publike “Prishtina Parking” ishte mjaft sfidues, për shkak të adresimit të problemeve në segmente të menaxhimit.

Zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje tregojnë se nga viti 2024do të zbatohen rregullat e reja të miratuara, me të cilat do të hiqet pagesa për veturën e parë për banorët rezidentë, ulje të pagesës për veturën e dytë, zgjatje të orarit deri në 23:00 dhe gjithashtu do të ketë biletë 24-orëshe e cila kushton 20 euro.

Kryeshefi i ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, thotë për KosovaPress se 2023-ta ka qenë njëra prej viteve sfiduese, por që me sukses kanë arritur t’i tejkalojnë sfidat, gjë e cila ka ndikuar në aspektin e performancës.

Havolli: Kemi synuar t’i adresojmë disa probleme

“Viti 2023 ka qenë njëra prej viteve relativisht sfiduese për ndërmarrjen, pasi kemi synuar t’i adresojmë disa probleme afatgjate të natyrës së përmirësimit në disa segmente të menaxhimit, ku ka pasur edhe hapësirë për keqpërdorime dhe kemi ndërmarrë masa të cilat kanë qenë mjaft drastike, mirëpo kanë qenë të nevojshme në aspektin e goditjes të keqpërdorimit dhe si rezultat i kësaj kemi pasur rritje të hyrave në masë të konsiderueshme. Shembull te parkingjet me laura, gjithashtu kemi pasur përmirësim në aspektin e performancës edhe në parkingjet e hapura apo ato komerciale, sepse kemi pasur një rritje të efiçiencës, shkëputje të disa kontratave, të cilat kanë qenë me kosto mjaft të madhe për ndërmarrjen ,” tha Havolli.

Havolli tregon se ndërmarrja ka shënuar edhe rritje të të hyrave nga parkingu i veturave në zonat që ata i menaxhojnë.

Havolli: Nën 700 mesazhe në ditë, sot i kemi afër 1500 SMS çdo ditë

“Të hyrat përgjatë vitit kanë performuar mjaft mirë, te pjesa e mesazheve kemi pasur një rritje të SMS, gjobave, banorëve rezidentë, por kryesisht këtu lider është pjesa e të hyrave përmes mesazheve. Kemi një rritje prej rreth 40 për qind të të hyrave, pra është një rritje substanciale, por kjo nuk është shumë e theksuar tek bllokadat apo në forma tjera. Te pjesa e të hyrave nga biletat në parkingjet me laura kemi diku rritje prej rreth 30 për qind. Këto dy kategori paraqesin burimet kryesore të të hyrave që kanë pasur një rritje substanciale. Në kategoritë e tjera kemi rënie, si rezultat i diskutimeve publike apo premtimit që kemi dhënë së bashku me kryetarin (Përparim) Rama, nga qershori 2023 se pagesa për automjetin e parë do të largohet për banorët rezidentë... 12:24 Kemi rritje të të hyrave në zonën e parë 100 për qind, kemi pasur mesatarisht nën 700 mesazhe në ditë. Sot kemi afër 1500 SMS çdo ditë,” tha ai.

Pjesë e rregullores së re, përveç zgjatjes së orarit deri në 23:00, është heqja e pagesës për veturën e parë dhe lirim të çmimit për veturën e dytë për banorët rezidentë, ndalon vendosjen e laurave në lagje dhe biletë 24-orëshe që qytetarët mund ta shfrytëzojnë për 24 orë.

Havolli: Kemi eliminuar pagesën për veturën e parë dhe lirim të çmimit për veturën e dytë

“Përveç zgjatjes së orarit, kemi eliminuar pagesën ashtu siç kemi premtuar për veturën e parë, ndërsa është liruar çmimi për veturën e dytë për banorët rezidentë... 15:14 Përveç kësaj, kemi zgjatje të orarit deri në ora 23:00, sepse ka qenë problemi i orëve të mbrëmjes që pikërisht në atë kohë iu duhet banorëve hapësira e menaxhuar...16:02 Rregullorja, po ashtu, ndalon vendosjen e laurave në lagje... 16:54 Tashmë e kemi ndryshuar edhe te pjesa e bllokadës. Ka pasur diskutim nëse bllokada duhet të quhet gjobë ose jo. Ne kemi insistuar të quhet biletë 24-orëshe, sepse në momentin që parkohen në hapësirat e menaxhuara nga “Prishtina Parking”, pajtohen që të bëjnë -pagesën qoftë me SMS, biletë fizike apo aplikacion nga telefoni i mençur, por nëse nuk e bën këtë, nënkupton se pajtohen të blejnë një biletë 24-orëshe të parkimit, e cila e ka vlerën e njëjtë dhe procedurën e njëjtë dhe vendoset përsëri bllokada ,” u shpreh ai.

Ndërmarrja “Prishtina Parking” synon për vitin e ardhshëm inicimin e projektit për digjitalizimin e të gjitha vend-parkingjeve, vendosjen e sensorëve të ndryshëm, pajisje të banorëve rezidentë me çipa me qëllim që të reduktohet nevoja për kontroll.

Havolli: Fokusimi dhe objektivat tona për 2024 janë edhe më të mëdha

“Fokusimi dhe objektivat tona për 2024 janë edhe më të mëdha, sepse tanimë kemi plane të iniciojmë projektin për digjitalizimin e të gjitha vend-parkingjeve, vendosjen e sensorëve të ndryshëm, pajisjen e banorëve rezidentë me çipa apo produkte të ndryshme komunikuese me këta sensorë nëpër vende që të reduktojmë nevojën për kontroll, dhe të kemi një monitorim në kohë reale dhe prej zyrave t’i shohim reflektimet e të gjithave, sa janë banorë rezidentë e sa janë vizitorë,” theksoi Havolli .

Çmimi për parkimin e veturave ndahet sipas zonave 1, 2 dhe 3 në kryeqytet. Për zonën 1, parkimi me kohë të caktuar të një automjeti për një orë kushton 1 euro ose 7.5 ditore. Në zonën e dytë kjo shumë është 50 centë për një orë dhe 5 euro ditore, derisa për zonën e tretë është 0.30 centë ose 1.5 euro ditore.

Parkingu për banorët rezidentë- vetura 1 për zonën 1 kushton 10 euro mujore, për veturën e dytë 30 dhe për veturën e tretë ose më shumë vetura 45 euro. Në zonën e dytë 7 euro për veturën e parë, 15 euro për veturën e dytë dhe për tri ose më shumë vetura 30 euro. Zona e tretë kap shifrat 5 euro për veturën e parë, 10 euro për veturën e dytë dhe 15 euro për tri e më shumë vetura për një muaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat