Projekti për sheshin “Xhorxh Bush”, Rama: I kuptoj frustrimet e qytetarëve

Prishtina

Projekti për sheshin “Xhorxh Bush”, Rama: I kuptoj frustrimet e qytetarëve

Më: 13 janar 2024 Në ora: 14:03
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot prezantoi projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” dhe ndërlidhjen e tij me hapësirat e tjera publike.

Ai tha se ideja e këtij investimi nuk është vetëm një dizajn linear, por që sheshet të jenë sa më të qasshme dhe të sigurta për secilën moshë.

Rama theksoi se i kupton qytetarët që janë të frustruar rreth këtyre punimeve, për çka shton se kjo çfarë po bëjnë është zgjidhje, veçse sipas tij investimet kërkojnë kohë. Ai shtoi se do të duhen rreth tetë vjet për t’u bërë transformimi total i kryeqytetit

Rama: Kjo çka po e bëjmë ne është zgjidhje, mirëpo kërkon kohë

"I kuptoj qytetarët e frustruar, sepse edhe unë vetë jam frustruar. Kam qenë i frustruar edhe më përpara, si rezultat i kësaj edhe kam vendosur të vijë të garoj për t'i zgjidhur këto probleme. Këto probleme nuk zgjidhen ndryshe përveçse duke krijuar, duke i konceptuar e projektuar edhe të fillojmë të realizojmë projektet madhore të cilat po i bëjmë. Sepse për një periudhë të madhe kohore, është investuar vetëm në sektorin privat, ndërsa sektori publik ka çaluar. Nuk ka pasur investime në infrastrukturë, s'ka investime në shkolla, në qendra mjekësore familjare. Të gjitha këto janë më se të rëndësishme të krijoj sistemin për të zgjidhur problemin e trafikut në kryeqytet. Sot, ta hapim, ka qenë i hapur prapë e kemi pasur trafikun, problemi i trafikut ka qenë para dy vitesh, para pesë vitesh, 10 vitesh...Nuk evitohet problemi duke lënë makina të vijnë në qendër, problemi evitohet duke krijuar transporte alternative...Kjo çka po e bëjmë ne është zgjidhje, mirëpo kërkon kohë. Kërkon një periudhë kohore, kam thënë 8 vjeçare, ku bëhet transformimi total i kryeqytetit”, tha Rama.

Rama potencoi se në kuadër të punimeve do të hiqen elementet e asfaltit që nuk janë ambientale, derisa shtoi se do të transformohen me elemente të gjelbëra.

Përveç këtyre, i pari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se planifikojnë që të heqin muret të cilat e rrethojnë Katedralen “Nënë Tereza”, në mënyrë që mos të shihet si cenim i lëvizjes së lirë dhe të jetë e hapur për të gjithë qytetarët.

Rama: Ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme, të sigurta për secilën moshë

"Ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme, të sigurta për secilën moshë, prej fëmijëve deri tek të moshuarit. Po ashtu, edhe në aspektin e funksionit të ofrojnë mundësi për galeri, për artistë, për përformanca, për aspekte komerciale e të tjera që e krijojnë një jetë të re, një Prishtinë të transformuar me elemente të ndryshme programore nëpër këtë zonë. Katedralja e cila për momentin është e rrethuar me muri të vogël, kemi propozuar dhe jemi marrë vesh që ajo të hapet, të mos jetë e rrethuar, të jetë çdo gjë e hapur për qytetarët e kryeqytetit...Në aspektin e materialeve, çfarë materiale do të përdorim këtu, do të transformohet, do t'i heqim të gjitha këto elemente të asfaltit, të cilat nuk anë ambientale. Do t'i transformojmë me elemente të gjelbërta...Ne këtë intervenim në sheshin “Xhorxh Bush” e kemi bërë kur edhe është hapur parkingu nëntokësor. Kur e kemi bërë hapjen e parkingut nëntokësor, e kemi bërë mbylljen, tash ideja është që kjo të zgjatet deri tek xhamia e madhe kur ajo hapet", theksoi Rama.

Gjatë prezantimit të projektit, i pari i kryeqytetit ka dhënë detaje se si do të bëhet transformimi i sheshit “Xhorxh Bush”.

Ai tha se ky projekt “nuk është vetëm dizajn linear një hapësire prej Grandit deri tek Katedralja, por, është një koncept i cili ndërlidhet edhe hapësirat e tjera publike”.

Rama: Propozimi i ri për sheshin “Xhorxh Bush”, i ka disa karakteristika

"Koncepti, pra propozimi i ri për sheshin “Xhorxh Bush”, i ka disa karakteristika kyçe. Pra, konceptohet i ndërlidhur me hapësira të tjera publike. Pra, nuk është vetëm dizajn linear i një hapësire atje prej Grandit deri tek Katedralja. Por, është një koncept i cili ndërlidhet edhe hapësirat e tjera publike, në Bibliotekën Kombëtare te Universiteti i Prishtinës. Po ashtu, edhe me Katedralen dhe pjesa përfund katedrales, deri tek Grand Hoteli. Disa vizatime konceptuale të cilat tregojnë edhe mënyrën se si kemin filluar të mendojmë rreth transformimit të kësaj hapësire. Këtu i kemi disa elemente kyçe të lëvizjes të cilat janë marrë parasysh si elemente bazë që e kanë pasur këtë impaktin në konceptin e ri për sheshet e kryeqytetit këtu të cilat ndërlidhen me hapësirat e sheshit 'Xhorxh Bush”...Shihet që nuk e trajtojmë vetëm sheshin “Xhorxh Bush” por edhe pjesët tjera edhe elementet e ndryshme ndërlidhëse që tash do të krijojnë një tërësi në këtë zonë të kryeqytetit...Shihet që pjesa prej Radio Televizionit të Kosovës deri tek Grandi, pesë të cilën ndoshta e keni parë edhe gjatë dimrit edhe gjatë verës, ku përballë katedrales edhe sheshi që zgjatet e që vazhdon deri tek 'Tregu i Gjelbër', ku kemi një fluks më të madh të njerëzve. Ndërsa, prej kësaj pjese për shkak të mungesës së funksioneve kemi më pak fluks dhe si e tillë e kemi parë të mundshme që të krijojmë funksione të reja në këtë zonë", tregoi Rama.

Lidhur më këtë projekt foli edhe drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki për çka tha se ky projekt ka qenë në vizion qysh në vitet e 70-ta, kur edhe është ndërtuar kampusi universitar.

Sadiki u shpreh se nuk po shpikin diçka me këtë ide, për çka tha se nuk është në dijeni nëse ndonjë kryeqytet tjetër në botë ku nuk janë të ndërlidhura rektorati, biblioteka e institucione të tjera me sheshe dhe këmbësorë.

Në anën tjetër, faqja “Vrojtuesit e Lagjes” kanë paralajmëruar një protestë për të dielën. Arsyeja e kësaj, është pikërisht mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush”, që sipas tyre, ka shkaktuar probleme në trafik e kolona të gjata.

Përveç kësaj, Rama shtoi se janë duke punuar në ndërtimin e “Rrugës A” dhe depërtimin në Veternik, që e lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë.

Rama foli edhe për punimet në unazën e brendshme të kryeqytetit, derisa tha se të gjitha punimet po bëhen me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe evitimin e komunikacionit.

Ai tha se përveç procesit të ndërtimit të pesë shkollave tani, planifikohet që të ndërtohen edhe pesë të tjera.

Në fund, Rama tha se ky projekt do tu prezantohet edhe qytetarëve në mënyrë që të kuptojnë qëllimin dhe secilin detaj rreth punimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat