​Kulmi i komunës së re të Prishtinës u rrëzua nga erërat e forta, dëmet do të kompensohen

Prishtina

​Kulmi i komunës së re të Prishtinës u rrëzua nga erërat e forta, dëmet do të kompensohen

Më: 18 janar 2024 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica tha se sipas hetimeve preliminare nga Policia e Kosovës dhe inspektorët e emergjencave, kulmi i ndërtesës së Komunës së re kanë rënë si pasojë e erërave të forta.

Në një prononcim për media, Fushtica tha se në këtë ndërtesë gjatë kësaj kohe nuk ka pasur punime, derisa shtoi se pas këtij rasti, objekti është mbyllur dhe punëtorët janë liruar në shtëpi, ndërkaq institucionet po kryejnë punën e tyre në hetimin e rastit.

Ai tha se shprehin keqardhje dhe bashkë ndjejnë me vajzën, e cila mbeti e lënduar si pasojë e këtij incidenti.

Fushtica: Sipas të gjitha gjasave si pasojë e erërave të forta është rrëzuar kulmi

"Një pjesë e kulmit të ndërtesës së re të komunë ka rënë dhe me këtë rast është lënduar edhe një person. Me marrjen e lajmit të gjitha ekipet që duhet të thirren, emergjenca, policia, emergjencat mjekësore, inspektorët e emergjencave kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe brenda një afati të shkurtër kohor kanë filluar sanimin e incidentit në bazë të protokollit të sigurisë. Është mbyllur ndërtesa, punëtorë janë lëshuar në shtëpi dhe policia është duke i kryer hetimet bashkërisht me ekipet e emergjencave për të shikuar se si ka ardhur deri te ky rast. Për momentin nuk mund të them më shumë se hetimet janë preliminare dhe duke u zhvilluar. Por, sipas të gjitha gjasave si pasojë e erërave të forta që kanë ndodhur ka ardhur deri te rrëzimi i kulmit. Hetimet janë në fazën preliminare, nuk mund të paragjykoj, policia po e kryen punën e vet. Edhe inspektorët e emergjencave janë duke e bërë punën e vet, forenzika është këtu, do të dalin me raport të detajuar”, tha Fushtica.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, theksoi se mund të konfirmojnë se në momentin që ka ndodhur rasti nuk pasur punëtorë duke punuar në ndërtesë apo në kulm.

Ai shtoi se janë dëmtuar disa vetura, të cilat sipas tij mund të jenë të qytetarëve, derisa shton se të gjitha dëmet do të kompensohen në bazë të ligjit në fuqi, porse duhet të bëhet vlerësimi.

Fushtica: Të gjitha dëmet do të kompensohen në bazë të ligjit në fuqi

"Jo, nuk ka pasur punime jashtë ndërtesës…Mund të konfirmojmë që në momentin që ka ndodhur rasti nuk pasur punëtorë duke punuar në ndërtesë apo në kulm... Janë dëmtuar disa vetura, mund të jenë të qytetarëve, por nuk kemi informata... Të gjitha dëmet do të kompensohen në bazë të ligjit në fuqi, duhet të bëhet vlerësimi. Për momentin është duke u bërë vlerësimi i rrezikut nga ekipet e agjencive të emergjencave, ekipet e policisë dhe zjarrfikësit ende janë duke punuar në kulm, duke bërë vlerësimin dhe largimin e rrezikut. Nëse ekziston rreziku më i vogël që rrezikohen punëtoret, nuk do të punojnë punëtorët", theksoi Fushtica.

Ndërkaq, nga Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për KosovaPress kanë thënë se pacientja ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe se gjendja e saj është në rrezik për jetë.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla tha se pas ekzaminimeve pacientja pritet të dërgohet në Mjekimin Intensiv Qendror për të vazhduar trajtimin shëndetësor.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat