​Nesër rifillojnë shërbimet në objektin e komunës në lagjen "Arbëria"

Prishtina

​Nesër rifillojnë shërbimet në objektin e komunës në lagjen "Arbëria"

Më: 21 janar 2024 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Të hënën do të rifillojnë shërbimet në objektin e ri të komunës së Prishtinës në lagjen "Arbëria", pas rrëzimit të kulmit që la të lënduar një qytetare.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se pas punimeve intensive është vlerësuar se objekti është tani i sigurt për ofrimin e shërbimeve.

Ndërsa, për shkak të punës intensive në kulmin e ndërtesës dhe bazuar në vlerësimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Policisë së Kosovës dhe rekomandimeve nga ekipi profesional i kryeqytetit rruga "Radovan Zagoviq" do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për qarkullim.

Rruga "Nora e Hotit" do të jetë e hapur për qarkullimin e veturave, por jo për parkim veturash e këmbësorë, dhe njëkohësisht ndalohet parkimi i veturave në parkingun e objektit të Kryeqytetit dhe rreth saj, thuhet në njoftim.

Të enjten në objektin e ri të komunës së Prishtinës, ka rënë një pjesë e kulmit, ku si pasojë u lëndua një 23-vjeçare, e cila i është nënshtruar trajtimit mjekësor. Rënia e kulmit thuhet se u shkaktua nga erërat e fuqishme, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar hetim urgjent nga organet kompetente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat