Rama sqarohet për këmbimin e pronave, thotë se ministritë morën vendime për shkak të spekulimeve në media

Prishtina

Rama sqarohet për këmbimin e pronave, thotë se ministritë morën vendime për shkak të spekulimeve në media

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 14:46
Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të kryeqytetit të enjten, ka dhënë disa sqarime në lidhje me vendimin për këmbimin e pronave.

Ai ka thënë se ky vendim ka rrjedh nga një proces i cili ka filluar nga qeverisja e kaluar.

“Për më tepër, ky proces ka rrjedh nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, pra Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal. Nga momenti që qeverisja jonë ka vazhduar këtë proces, janë ndjek të gjitha procedurat e parapara ligjore. Pra, për këtë çështje, janë dërguar pikat e rendit të ditës me kohë, përfshi këtë pikë për këmbim”, ka deklaruar Rama.

Mirëpo sipas tij, ndonëse një vendim i tillë është diskutuar dhe miratuar në Kuvend, nuk ka pasur reagime kundër nga asnjë parti politike.

“Nuk ka reaguar askush. Vendimi është miratuar në këtë Kuvend. Nuk ka reaguar askush. Kanë kaluar disa javë. Asnjë fjalë nuk e kanë thënë nga PDK e as LVV. Pas një shkrimi të pavërtetë dhe tendencioz, ju e politizuat këtë çështje”.

I pari i Prishtinës tutje ka thënë se për shkak të spekulimeve në media, Ministria e Financave dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë marrë vendim që vendimi të suspendohet.

“Si pasojë e shkrimeve spekulative, të njëjtit zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal që kanë miratuar ligjshmërinë të njëjtit po e tërheqin atë. Pa asnjë argument apo fakt shtesë. Nuk janë një apo dy zyrtarë, por janë pesë që kanë nënshkruar ligjshmërinë e këtij vendimi, përfshirë edhe ministrin e MAPL-së. Dhe tani të njëjtit e kanë tërhequr ligjshmërinë e tij, përfshirë këtu edhe ministrin”.

“Ministria e Financave thotë se pas informatave nga mediat po e suspendojmë vlerësimin e pronave, do të thotë as fakte nga prokuroria e as fakte nga policia. Një proces që ministria është e obliguar ta zbatojë thotë po e suspendoj në bazë të spekulimeve në media”, ka deklaruar Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat