Punëtorëve teknikë të shkollave të Prishtinës u rriten pagat, ndërpresin grevën

Prishtina

Punëtorëve teknikë të shkollave të Prishtinës u rriten pagat, ndërpresin grevën

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 17:07
Nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku, dhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privatë, Jusuf Azemi. Foto: Komuna e Prishtinës

Është arritur marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në lidhje me kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknikë të prezantuara nga kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi.

Në takimin mes Azemit dhe nënkryetares së Kryeqytetit dhe U.D të Drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku gjatë ditës, u tha se greva e këtyre punëtorëve do të ndërpritet.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, është vendosur që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke lejuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të pastër për nxënësit e kryeqytetit.

“Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknik në objektet shkollore të Kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, z. Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërpreje të grevës nga nesër meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave”, deklaroi nënkryetarja Lushaku.

Kjo rritje e pagave, sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, është një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre dhe një shprehje e vlerësimit të punës së tyre të palodhur dhe të rëndësishme për mirëmbajtjen e ambienteve shkollore.

Sipas njoftimit, thuhet se kjo marrëveshje tregon përmirësimin e dialogut social dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe punëtorëve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat