Përfundon greva, punëtorët teknikë të shkollave të Prishtinës nisin punën

Prishtina

Përfundon greva, punëtorët teknikë të shkollave të Prishtinës nisin punën

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 13:25
Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi

Punëtorët teknikë të shkollave të kryeqytetit i janë kthyer punës. Kjo pasi Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës.

Greva e cila filloi të hënën përfundoi tek pasditen e së enjtes.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi tha në një intervistë për KosovaPress se nga përfaqësuesit komunalë iu janë pranuar të gjitha kërkesat e parashtruara. Porse, theksoi se deri të hënën nuk mund të jap detaje nga marrëveshja.

Azemi: Të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar Komunës së Prishtinës, me kënaqësi i kanë pranuar

“Realisht të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar Komunës së Prishtinës me kënaqësi i kanë pranuar të gjitha dhe unë nuk mundem të jap tani një shifër të pagesës deri ditën e hënë, sepse ashtu i kanë kriteret Komuna e Prishtinës. Të hënën pasdite në momentin kur publikohet, unë mund t’iu jap gjithçka në detaje. Përndryshe të gjitha kërkesat që ia kemi parashtruar Komunës së Prishtinës i kanë parë të arsyeshme. Kemi negociuar pothuajse gjatë gjithë javës dhe përfundimisht që të tri palët jemi të kënaqur, normalisht Komuna e Prishtinës”, tha Azemi.

Azemi shtoi se prioritetet i tyre ka qenë rritja e pagave të punëtorëve teknikë dhe se paga prej 230 euro nuk është e mjaftueshme për ta.

Azemi: Prioritet ka qenë rritja e pagës të punëtoreve teknikë

Prioritet ka qenë rritja e pagës të punëtoreve teknikë që janë paguar direkt nga Komuna e Prishtinës. Kjo ka qenë ajo, sepse punëtorët ndjehen të degraduar deri sa këta kanë marrë një pagë 230-270 euro, ata kanë marrë një pagë shumë më të madhe dhe tani këta do të jenë të barabartë me punëtorët e sektorit, po e themi kështu edhe në aspektin publik”, shtoi kryesindikalisti.

Ndërkaq, ai tha se Komuna e Prishtinës ka qenë shumë e afërt me punëtorët dhe se në momentin që Sindikata kanë arritur marrëveshje, punëtorët që nga dje pasdite kanë filluar punën, dhe se sot kanë janë në orar të rregullt.

Azemi: Të enjten pasdite punëtorët teknikë kanë nisur punën

“Ne jemi shumë të sinqertë, ne kemi qenë të interesuar që çdo minutë të dalim, kemi negociuar si partnerë dhe unë e falënderoj Komunën e Prishtinës dhe drejtorët e shkollave që kanë qenë shumë të afërt me këta punëtorë dhe në momentin që unë jam garantuar nga Komuna e Prishtinës për rritjen dhe të gjitha, brenda një ore kam thirr punëtorët dhe punëtoret dhe qysh dje pasdite kanë filluar të punojnë. Sot është një ditë normale e punës”, u shpreh ai.

Që nga data 5 shkurt punëtorët teknikë të shkollave të kryeqytetit kanë qenë në grevë për shkak të pagave të ulëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat