Menaxhimi i mbeturinave, Rama thërret përfaqësuesit e supermarketeve

Prishtina

Menaxhimi i mbeturinave, Rama thërret përfaqësuesit e supermarketeve

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 13:10
Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, Drejtorin e Inspektoratit të Prishtinës, Florian Dushi, si dhe përfaqësuesin nga Kompania Regjionale “Pastrimi” Sh.A, Riza Selimi sot kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e supermarketeve në Prishtinë.

Sipas faqes zyrtare të komunës së Prishtinës në Facebook, bëhet e ditur se qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohet mbi rregulloren e re për menaxhimin e mbeturinave.

Sipas njoftimit, kjo rregullore e re përfshin masa të rëndësishme, siç është rritja e përgjegjësisë së bizneseve.

“Përmes bashkëpunimit dhe diskutimeve konstruktive, palët shprehën përkushtimin e tyre për të implementuar praktika të qëndrueshme dhe efikase që do të ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit dhe promovimin e një kulture përgjegjësie ndaj mbeturinave. Rregullorja e re përfshin masa të rëndësishme siç është rritja e përgjegjësisë së bizneseve për menaxhimin e mbeturinave që prodhojnë dhe reduktimin e ndotjes”, thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se përveç këtij takimi, do të ketë edhe takime të tjera me qytetarët e institucione private për t`u njoftuar me veprimet që do merren nga komuna.

“Vec këtij takimi, do të mbahen edhe takime tjera me qytetarë e institucione private për t’u njoftuar me veprimet që do të ndërmerren nga Kryeqyteti për zbatimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave. Ne besojmë se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të krijojmë një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat