Abrashi: Në Prishtinë u rrit tatimi në pronë, buxheti dhe investimet u zvogëluan

Prishtina

Abrashi: Në Prishtinë u rrit tatimi në pronë, buxheti dhe investimet u zvogëluan

Më: 30 shtator 2017 Në ora: 16:07
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se është e padrejtë se si është rritur tatimi në pronë, ndërsa buxheti i komunës dhe kthimi i investimeve ka rënë në mënyrë drastike.

Ai gjatë një takimi me banorët e lagjes “Ulpiana” në Prishtinë, tha se rritja e tatimit në pronë është e padrejtë, ndërsa është zotuar se me ardhjen e LDK-së në krye të komunës do të ulet tatimi në pronë.

Abrashi është zotuar se gjatë mandatit të tij qeverisës do të ketë riparime të kulmeve të ndërtesave në Ulpianë, ndërsa ka në plan edhe zgjerimin e ngrohjes qendrore nëpërmes kogjenerimit.

Ai është zotuar se do ta rregullojnë fontanën dhe gjelbërimin në këtë zonë, ndërsa ujitja do të bëhet me sistemin pikë-pikë, nëpërmes hapjes së puseve të reja.

“Do të bëjmë revitalizimin e strehimores së Ulpianës, për t'i shndërruar ato në hapësira të artistëve, dizajnerëve dhe të bendeve të Prishtinës. Do t'i mirëmbajmë këndet e lojërave në Ulpianë. Këto kënde të lojërave të investuara para 5-6 vitesh nuk janë mirëmbajtur për katër vitet e fundit”, ka thënë Abrashi.

Ai ka potencuar se do t'i funksionalizojnë parkingjet në shërbim të banorëve të zonës, ndërsa te shkolla ‘Hasan Prishtina’, do të ndërtohet një parking nëntokësor.

Ndërsa, kryetari i Degës së Katërt të LDK-së në Prishtinë, Halim Muçolli ka thënë se në katër vitet e shkuara në “Ulpianë” nuk është investuar asgjë dhe lagjja ka marrë pamje të shëmtuar, derisa më parë kjo ka qenë krenaria e Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat