Tetë shtëpi restaurohen në Prizren nga Ministria e Kulturës - Bota Sot
Tetë shtëpi restaurohen në Prizren nga Ministria e Kulturës

Prizreni

Tetë shtëpi restaurohen në Prizren nga Ministria e Kulturës

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 00:53
Prizren

Shtëpia e familjes Doda në Prizren, i është nënshtruar restaurimit në bazë të një projekti të Ministrisë së Kulturës për “intervenimet emergjente” në disa shtëpi në Prizren.

Shtëpitë e familjeve: Dukagjini, Koci, Muriqi, Hereni, Kolshi, Doda, Skenderi dhe Lokvica janë projektuar për t’u restauruar në kuadër të zbatimit të projektit për masat preventive ‘intervenimet emergjente’, të cilat financohen nga Ministria e Kulturës dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve.

Ky investim ka ballafaquar institucionet e kulturës me pronarët e shtëpive, pasi që këta të fundit nuk e kanë të qartë nëse ata kanë mundësi t’i shesin objektet pas ndihmës së shtetit.

Doda, që ka shtëpinë pranë kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, tregon se për shumë vite nuk ka mundur të investojë në pronën e tij.

Pavarësisht restaurimit, Gëzimi thotë se ka kohë që shtëpinë e ka në shtije dhe që po negocion me disa blerës, ani pse objekti është në zonën e mbrojtjes.

Nga ana tjetër, Jusuf Xhibo, udhëheqës i punimeve në këtë projekt, thotë se pronarët kanë të drejtë t’i shesin pronat e tyre edhe pas restaurimit, mirëpo edhe pronari i ri nuk guxon t’i ndryshojë ato.

Restaurimi i tetë shtëpive në Prizren ka filluar në nëntor të vitit të kaluar.

Këtë intervenim e ka refuzuar familja Lokvica, e cila nuk ka pranuar që t’i nënshtrohet restaurimit shtëpia e tyre në lagjen “Marash”.

Udhëheqësi i punimeve, Xhibo, e pranon se kanë probleme me intervenimin në këtë objekt.

Afër nëntëdhjetë mijë euro është shuma të cilën Ministria e Kulturës i ka ndarë për restaurimin e shtëpive në Prizren.

Punimet janë ndërprerë për arsye të pandemisë, por ato kanë rifilluar në bazë të masave lehtësuese të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ligji për qendrën historike të Prizrenit nuk e ndalon shitjen e pronës, por kushdo që e blen duhet t’i përmbahet këtij ligji dhe nuk guxon t’i ndryshojë morfologjinë e terrenit dhe karakteristikat e lagjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat