Haskuka reagon ndaj raportimeve se Komuna e Prizrenit kundërshtoi masat Anti-Covid

Prizreni

Haskuka reagon ndaj raportimeve se Komuna e Prizrenit kundërshtoi masat Anti-Covid

Më: 4 prill 2021 Në ora: 15:12
Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ka reaguar ndaj raportimit të një mediumi i cili sipas tij, ka raportuar se komuna që ai udhëheq ka dal kundër masave Anti-COVID të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Haskuka ka thënë se në takim nuk ka pasur diçka për të votuar nëse janë kundër apo për.

Shkrimi i tij i plotë:

Për çdo vikend nga një lajm të rremë për ne, e sulm ndaj Komunës, edhe sot tradita po vazhdon. Një burim i “KOHA”s paska raportuar që Komuna e Prizrenit paska dal kundër masave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Unë isha në takimin e kryetarëve të komunave me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi dhe Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia . Takimi ishte informues për gjendjen e rëndë me pandeminë COVID-19.

Ministri na informoi që muajin e fundit kanë qenë mbi 28,000 raste të reja me COVID-19 dhe që gjendja në QKUK dhe spitalet e Kosovës është rënduar e që sistemi i shëndetësisë është i stërngarkuar.

Nuk ka pasur diçka për të votuar që ne të jemi “kundër” apo “për”, prandaj lajmet nuk e pasqyrojnë të vërtetën, por agjendat e “gazetarëve”.

Në takim, ministri Vitia na informoi për masat e mundshme, por ndër masat e diskutuara nuk ishte “mbyllja totale”, por masa selektive për t’i ndaluar burimet e infektimit.

Si kryetarë të komunave, ne informuam për gjendjen në komunat tona, problemet që i hasim dhe diskutuam masat që mund të ndërmerren, gjithmonë duke pasur parasysh edhe krizën ekonomike dhe gjendjen e rëndë të bizneseve.

Unë e informova ministrin që si komunë, ne jemi duke kryer mesatarisht mbi 400 teste rapide COVID-19 në ditë dhe se nga këto rreth 10% dalin pozitiv. Më këtë rast tregova edhe për analizat dhe shërbimet që i japim në Qendrat e Mjekësisë Familjare për të prekurit nga COVID-19, duke filluar nga analizat e gjakut e deri tek shërbimet e rëntgenit. Kërkova nga ministri që të kemi mbështetje në teste rapide, ngase duke bërë testime në masë mund të identifikojmë më shpejtë të infektuarit dhe të izolojmë virusin dhe përhapjen e tij.

Ne fund, të gjithë u dakorduam që masat e reja për parandalim duhet të kenë parasysh ekonominë dhe të jenë bashkë me paketën ekonomike për sektorët e prekur nga pandemia.

Me këtë rast apeloj tek qytetarët që të respektojmë masat për mbrojtje individuale nga pandemia:

Mbani maskën!

Mbani higjienën personale!

Mbani distancën fizike!

Shmangni tubimet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat