Vizita me shkas dhe bukuritë natyrore të malësisë së Prizrenit dhe të Opojës

Reportazhe

Vizita me shkas dhe bukuritë natyrore të malësisë së Prizrenit dhe të Opojës

Nga: Haki Latifi Më: 29 tetor 2019 Në ora: 19:09
Ilustrim

Udhëtimi më i shkurtër (18 km) për në Opojë nga Prizreni kalon nëpër vendbanimet; Pouskë, Jabllanicë, Kustendil, Lez (malësia e Prizrenit), për të mbërri në Zapllugjë të Opojës , ku nga kodra mbi katund mund ti shohish si në shuplak të dorës katundet , Blaç, Bresan, Zgatar, Bellobradë etj. Kjo ishte edhe qëllimi im (në shoqërim edhe të t’ime shoqe) i vizitës mikut tim, ish kryetarit të Degës së LDK-së dhe Kryetar i komunës së Dragashit z. Halim Shemsedini.

Me të mbrri në Zapllugje i telefonoj duke i treguar se gjendem pranë shtëpisë së tij. Pa prit mas më tha: „ jam te miqt, te kusherinjtë e t’u në Blaç, më prit për pes minuta do të jem aty“ ashtu edhe ndodhi. Erdhi dhe pas përshëndetjes emocionale na priu për në dhomën e pritjes për mysafirë. Deri sa bashkëshortja e Halimit po i përgadiste kafet, ne po çmalleshim duke rikujtuar aktivitetet e dikushme si dhe projektet e mbetura dhe të pa mbaruara nga ndryshimet qeveritare të komunës së Dragashit. Halimi me dashamirësi i tregon dekoratat e mirënjohjet e pranuara nga shumë personalitete shqiptare e ndërkombëtare, por një prej tyre do të mbetet e veçanta , në të cilën e ka pranuar edhe nga ish-presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova.

Pasi i pimë kafet dhe bisedave miqësore, siq thuhet; folëm për Shkup e për Shkodër, po afrohej koha e ndarjës. I kërkoj leje mikut tim për t’u nisur, me gjithë insistimin e i tij që të qëndrojmë më gjatë, por koha nuk na premtonte. Në ndarje pasi i shkrepëm disa foto kujtimi, nuk harroj që të na jep edhe disa kokrra molle nga koptshi i tij, i punuar me kujdes e dashuri.

Në ndarje na falenderoj për vizitën duke thënë: „ Zoti ju shpërbleft dhe mos na harroni ejani përseri.“

U ndam nga kjo familje fisnike, e një burri të urtë dhe atdhetar, por shumë modest, në të cilën u detyrua të përballej me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin nga pushtuesi serbo-sllav. Megjithatë Ai nuk u thye. Ato dallgë i përballoi me krenari dhe dinjitet. Kjo të kujton thënjen se; Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Duke i mbijetuar asaj kohe barbare, i mbijetoi sepse në venat e damarëve të tij rrjedh gjak fisniku. Ky gjak nuk i mungon as sot mikut tim prof.Halim Shemsedinit! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mundën ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Por së fundi kohët ndryshuan dhe Ai ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan çlirimit dhe demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e pushtuesit gjakatar serb.

Sa herë vizitoj këto treva, vërtet befasona për të mirë, me bjeshkët e pasura me kullosa dhe peizazhe të bukura, me resurse të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, turizmit rural dhe për ngritjen e qendrave rekreative-sporteve, sidomos të sportit dimëror (skijimit), ngase sipas ekspertëve të këtij sporti, kjo trevë ka terrene të mira sipas standardeve evropiane .

Gjat udhëtimit tonë u ndalem në Katundin Lez, i cili gjendet në lartësi mbi detare 1387 m. , i përket Malësisë së Vrrinit, që kufizohet në veri me Prizrenin dhe në jug me regjionin e Opojës. Në hyrje të fshatit Lez gjendet memoriali në përkujtim të dëshmorëve të fshatit të cilët u vranë më 1 shtator 1998 kur u rrethua nga forca të shumta të ushtrisë serbe.

Ishte një arësye që të ndalem në këtë vendbanim, duke ditur se motra e nënës ka jetuar një kohë të gjatë në këtë katund. Tezja Xhylije tani është plakur dhe e shtyrë në moshë është e martuar në familjën Berisha të Lezit , por për shkaqe ekonomike janë shpërngulur në Prizren në vitet e 70 -ta, ku jeton bashkë me familjen e saj. Është hera e parë që e vizitoj këtë vendbanim. Lezi i takon Malësisë së Vërrinit ku përfshihen; (Lybeçeva), Kushnini dhe Arbëria (Leskoveci). Formimi i një institucioni

për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në trevën e Vërrinit dhe të Opojës do të ishte i rëndësisë së madhe. Kjo do të mundësonte që një numër i banorëve të këtyre trevave, pa ekonomi të zhvilluar dhe pa vende pune, ti rreken turizmit fshatar, duke krijuar mundësi për vendosje të vizitorëve dhe gostitje të tyre mbi bazën e mikpritjes së njohur tradicionale. Me programet e zhvilluara, vizitorëve do tiu mundësohet shetitje nëpër malet e kësaj ane, piknik, mbledhje të bimëve, fruta të pyllit e të tjera. Përveç kësaj, në pjesën më të madhe të fshatrave mund të organizohen edhe programe të përpunuara dëfryese. Turistë do të kenë mundësi për pjesëmarrje në dasmat tejet të hareshme dhe gazmore të banorëve, në ahengje të ndryshme etj. Njëherit, paraqet edhe një element shtesë për të zgjuar interesimin e vizitorëve, ku turistëve fare lehtë mund të krijohen mundësitë për një pushim aktiv në këtë trevë, të cilët mund të shijojnë edhe vlerat kulturore e artistike të Vërrinit dhe Opojës, të cilat janë specifike për rajone tjera. Mirëpo, për fat të keq aktualisht, për mundësinë dhe nevojën e zhvillimit të kësaj veprimtarie të rëndësishme ekonomike, nuk bisedohet në asnjë nivel.

Mendoj se, mungesa e rrugës duhet të ketë qen arësya kryesore që banorët e këtyre trevave si dhe djegjet e shtëpive nga forcat pushtuese serbe në luftën e fundit ka ndikuar në braktisisjen këtyre trevave. Tash, gjallërinë e katundit Lez e mban „Tyrbja e Babës Ymer“ që tërheq vizitorë në secilën stinë e veçanërisht në pranverë, verë e vjeshtë.

Nga kodra afër Lezit bien në sy shtëpi të braktisura, disave ju mungojnë dyert dhe dritarët. Pasi edhe shtëpitë janë si njerëzit, kanë trup dhe shpirt.
Për fat të mirë tani rruga është por njerëzit nuk janë për fat të keq!

Megjithatë, rruga që lidh Prizrenin me katundin Zapllugje (1384 m (m.n.d.), në të cilën i takon trevës së Opojës, e lëshuar për qarkullim para dy vitesh, është një mundësi e mirë për të investuar në fushën e turizmit dhe për t‘ja kthyer jetën kësaj treve. Nga udhëtimi vërejmë se kjo rrugë është dëmtuar dukshem në disa pjesë në aksin e rrugës 8 km. (nga Jabllanicë 1146 m (m.n.d.). Njëherit, dëshmon për punimet jocilësore dhe mungesë përgjegjësie të zbatuesit të punimeve dhe të atyre që kanë dhënë leje për shfrytëzimin e saj.

Për të shijuar vlerat turistike të këtyre trevave, do të ishin të mjaftueshme dhe të preferueshme shtëpitë e banorëve të këtyre fshatrave të përshtatën për bujtina turistike, në të cilat turistët vendas dhe të huaj, do të kenë përjetime që nuk harrohen dot, ofruar nga mikëpritja, bujaria, natyra e bukur dhe thesari kulturor i kësaj ane. Si rrjedhoj tanimë infrastruktura e rrjetit rrugor të asfaltuar viteve të fundit, mundëson qarkullim të lehtë pothuaj në çdo katund të këtyre trevave me bukuri të rralla natyrore, si dhe botimin e një harte turistike të këtyre trevave. Poashtu, edhe rrugët për shetitje nëpër malet dhe natyrën pitoreske të kësaj ane rrëzë Bjeshkëve të Sharrit, mundësojnë shijim të freskisë, bukurisë, këngëve të zogjëve dhe gurgullimës së ujit në burimet dhe lumenjët e këtij nënqielli. Është koha kur duhet të punohet në këtë drejtim duke hartuar programe konkrete, me të cilat mund të sigurohen investime në interes të zhvillimit të turizmit të kësaj ane dhe krijimin e kushteve për punë të banorëve të kësaj treve. Kjo do të ishte me rëndësi sidomos për pengimin e migrimit të mëtejshëm të banorëve veçanërisht të disa vendbanimeve që pothuaj kanë mbetur të zbrazta.

Image
Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat