Paracetamoli rrit rrezikun nga astma

Shëndetësia

Paracetamoli rrit rrezikun nga astma

Më: 20 qershor 2020 Në ora: 19:36
Ilustrim

Disa ekspertë të mjekësisë kanë paralajmëruar se përdorimi i paracetamolit për uljen e temperaturës te fëmijët mund të rrisë gjasat e tyre për të vuajtur nga astma, në periudhën nga mosha gjashtë deri në shtatëvjeçare.

Paracetamoli është një ilaç mjaft efektiv për uljen e temperaturës te fëmijët, por studimet e kryera me më shumë se 200.000 fëmijë kanë treguar se ata fëmijë të cilët e kanë marrë këtë ilaç qysh gjatë vitit të parë të jetës, kanë pasur për 46 për qind rrezik më të lartë për t’u prekur edhe nga sëmundja e astmës, transmeton KOHA.

Hulumtuesit kanë bërë të ditur se akoma nuk e kanë të qartë nëse ky ilaç ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e rrezikut për astmë, apo nëse ekziston ndonjë faktor tjetër ndërmjetës. Rreziku mund të jetë më i madh nëse një nënë shtatzënë e ka përdorur paracetamolin për më shumë se një ankesë të caktuar shëndetësore.

Paracetamoli është ilaçi më i përdorur për gratë shtatzëna kundër dhimbjeve, ftohjes dhe gripit.

Megjithëkëtë, ekspertët thonë se prindërit edhe më tej duhet ta përdorin këtë ilaç në rast se fëmijët e tyre vuajnë nga temperatura e lartë trupore, pavarësisht gjasave më të rritura për t’u prekur nga astma.

Por, ata rekomandojnë që ky ilaç të mos përdoret rregullisht te fëmijët dhe kanë bërë të ditur që të rezervohet vetëm për rastet kur temperatura e lartë arrin në 39, apo më shumë gradë celsius, si dhe nëse fëmijët kanë dhimbje shoqëruese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat