Kontaktet e ngushta që shtojnë rrezikun për infektim me koronavirus

Shëndetësia

Kontaktet e ngushta që shtojnë rrezikun për infektim me koronavirus

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 15:27
Foto Ilustrim

Këshilla që nuk duhen neglizhuar

Për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga infeksioni i me koronavirusin e ri këshillohet që të mbuloni gojën dhe hundën me bërrylin e përkulur apo letër higjienike kur kolliteni dhe teshtini, të hidhni çdo letër higjienike të përdorur në një kosh të mbyllur, të pastroni duart me larës të lëngshëm me bazë alkooli ose sapun dhe ujë pas kollitjes ose teshtitjes dhe kur ofroni kujdes shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit COVID-19 rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenjë klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital. Gjithashtu, këshillohet që të shmangni udhëtimet nëse jeni me kollë dhe temperaturë. Nëse keni kollë, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni kujdes mjekësor sa më shpejt dhe informoni personelin shëndetësor për historinë e udhëtimit tuaj.

Mënyrat kryesore të përhapjes nga personi i infektuar janë nëpërmjet:

Pështymës, kollitjes dhe teshtitjes.

Kontakteve personale të drejtpërdrejta.

Duarve, për shembull duke prekur me duart e ndotura (ende jo të lara) gojën, hundën apo sytë.

Në raste të rralla, infeksioni mund të ndodhë përmes kontaminimit fekal.

Zakonisht sëmundjet e frymëmarrjes nuk transmetohen me ushqim, i cili në çdo rast duhet të trajtohet duke respektuar praktikat e mira të higjienës dhe duke shmangur kontaktin midis ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar.

Gjithsesi, ende vazhdojnë studimet për të kuptuar më mirë se si transmetohet ky lloj virusi.

Kontaktet e ngushta që shtojnë rrezikun për infektim me koronavirus

Sipas ECDC, “kontakt  i ngushtë” me një person të infektuar do të konsiderohen:

Çdo person qe jeton në të njëjtën shtëpi.

Çdo person qe ka kontakt menjëherë me një rast ose me lëngjet trupore ose mostrat laboratorike.

Çdo punonjës shëndetësor që ka dhënë direkt kujdes shëndetësor për pacientet me 2019-nCoV, ka punuar me punonjës shëndetësor të infektuar me koronavirus.

Çdo person apo persona që kanë vizituar pacientë, apo kanë qëndruar në të njëjtin mjedis të kujdesit shëndetësor me pacient me koronavirus sidomos, kur rasti i është nënshtruar një procedure që gjeneron aerosol.

Çdo person që punon në afërsi dhe ngushtësisht, apo ka qenë në të njëjtin mjedis të mbyllur si për shembull në klasë në shkollë me pacientët me koronavirus.

Çdo person që ka qëndruar brenda 2 metrave në distancë nga rasti, në çdo mjedis që nuk është përmendur më lart për çfarëdolloj kohe.

Çdo person që ka udhëtuar sëbashku me një pacient, ose me shumë pacientë me koronavirus  me çfarëdo lloj mjeti.

Personat që udhëtojnë në avion në të njëjtin rresht ose në dy rreshtat para dhe pas një rasti të dyshuar ose të konfirmuar me koronavirus, shoqëruesit e udhëtimit ose kujdestarët, dhe anëtarët e ekuipazhit që kanë shërbyer në seksionin e avionit ku ishte ulur “rasti”. Nëse “rasti” ka një simptomatologji të rëndë ose ka lëvizur brenda avionit, çka tregon ekspozim më të madh të pasagjerëve, duhen konsideruar si kontakte të ngushta të gjithë pasagjerët të ulur në të njëjtin seksion të avionit ose në të gjithë avionin.

Si duhet vepruar:

Çdo individ që raporton çfarëdolloj kontakti me një rast të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me koronavirus duhet të raportohet pranë NJVKSH-së përkatëse menjëherë, dhe më pas, prej NJVKSH ose pranë ISHP-së me formularin e hetimit. Kjo procedurë duhet të kryhet menjëherë dhe brenda 24 orëve.

Sa më shpejt të jetë e mundur, NJVKSH në bashkëpunim me ISHP-në, fillon identifikimin e personave që kanë patur të njëjtin ekspozim si rasti i dyshuar apo i mundshëm (subjekte të ko- ekspozuara) dhe subjekteve që kishin kontakt të ngushtë me rastin gjatë periudhës së tij simptomatike ose dhe përpara shfaqjes se shenjave klinike .

Në pritje të konfirmimit të rastit, për shkak të paqartësive të rëndësishme të deritanishme në lidhje me këtë sëmundje çdo kontakt duhet të mbahet në vetekarantine dhe pas konfirmimit te rastit, kontaktet qëndrojnë në vetekarantine apo në një mjedis të përshtatur si karantine për të siguruar distancimin social të tyre duke zbatuar rregullat e karantinës.

Rrezikshmëria e koronavirusit të ri:

Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19  mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale. Njerëzit më të ndjeshëm ndaj formave të rënda janë të moshuarit dhe ata me sëmundje ekzistuese, të tilla si diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Periudha e inkubacionit paraqet periudhën e kohës midis infeksionit dhe zhvillimit të simptomave klinike. Aktualisht vlerësohet se ndryshon midis 2 dhe 11 ditëve, deri në maksimumi 14 ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat