Nga një kurë për elitat në një ushqim për masat

Shëndetësia

Nga një kurë për elitat në një ushqim për masat

Më: 28 janar 2021 Në ora: 14:22
Ilustrim

Dashuria e njerëzimit për çokollatën,ka nisur më shumë se 5 mijë vjet më parë. E prodhuar nga farat e pemëve tropikale të kakaos në pyjet e shiut të Amerikës Qendrore dhe Jugore, çokollata konsiderohej prej kohësh si “ushqimi i Perëndive” dhe më vonë si një ushqim i përzgjedhur për elitën.

Por, për pjesën më të madhe të historisë së saj, ajo në fakt është konsumuar më shumë si një pije e hidhur sesa si një ilaç i ëmbël dhe i ngrënshëm,siç është sot në të gjithë botën. Arkeologët i kanë zbuluar gjurmët më të hershme të kakaos në qeramikat e përdorura nga kultura e lashtë Majo-Çinçipe 5.300 vjet më parë, në rajonin e sipërm të Amazonës në Ekuador.

Çokollata luajti një rol të rëndësishëm politik, shpirtëror dhe ekonomik në qytetërimet e lashta mesoamerikane, të cilat i bluanin kokrrat e pjekura të kakaos në një pastë që ata e përzienin me ujë, vanilje, speca djegës dhe erëza të tjera për të krijuar një pije me shkumë çokollate.
Mesoamerikanët e lashtë, besonin se çokollata ishte një forcues i energjisë dhe afrodiziak me veti mistike dhe mjekësore. Majat e cilësonin kakaon një dhuratë nga Perënditë. Ata e përdornin çokollatën për ceremonitë e shenjta dhe ceremonitë e varrimit.

Majat më të pasur konsumonin rregullisht pije me çokollatë të shkumëzuar, ndërsa njerëzit e zakonshëm konsumonin çokollatë në një pjatë të ftohtë në formën e qullit. Ndërsa popujt e perandorisë Azteke u përhapën në Mesoamerikë në vitet 1400, edhe ata nisën konsumimin e kakaos.
Meqë nuk mund t`a rrisnin pemën e kakaos në malësitë e thata të Meksikës Qendrore, ata shkëmbenin me Majat kakaon me mallra të tjera. Madje, kokrrat e kakaos i përdornin si monedhë. Në vitet 1500, Aztekët mund të blinin një gjeldeti apo një lepur me 100 kokrra kakao.

Sipas një dëshmie, sundimtari aztek i shekullit XVI-të, Moktezuma II, pinte 50 gota çokollatë në ditë përmes një kupe të artë për të rritur fuqinë e tij seksuale. Çokollata mbërriti në Evropë gjatë viteve 1500, me sa duket nga priftërinjtë spanjollë dhe pushtuesit që kishin eksploruar Amerikën. Edhe pse spanjollët e ëmbëlsuan pijen e hidhur me sheqerin e kallamit dhe kanellës, një gjë mbeti e pandryshuar: Çokollata mbretëroi si një simbol i luksit, pasurisë dhe pushtetit. Një produkt importi i shtrenjtë, i përballueshëm vetëm nga elita spanjolle.

Popullariteti i çokollatës u përhap edhe në oborret e tjera mbretërore evropiane, ku aristokratët e konsumuan atë si një eliksir magjik me shumë përfitime shëndetësore. Për të kënaqur etjen e tyre në rritje për çokollatë, fuqitë evropiane ngritën plantacione koloniale në rajonet ekuadoriale në të gjithë botën për të kultivuar kakao dhe sheqer. Kur sëmundjet e sjella nga evropianët reduktuan ndjeshëm krahun e punës së vendasve, në Amerikë u importuan skllevërit afrikanë për të punuar në plantacione dhe për të garantuar prodhimin e çokollatës. Çokollata mbeti si një lloj “nektari aristokratik” derisa një shpikje në vitin 1828 e revolucionarizoi prodhimin e saj.

Kimisti holandez Konrad van Huten nxori nga kokrrat e kakaos gjalpin yndyror, duke lënë pas një tortë të thatë që mund të përzihej me lëngje dhe përbërës të tjerë, të derdhur në kallëpe dhe të ngurtësuar për të krijuar një çokollatë të ngrënshme, dhe lehtësisht të tretshme.
Ai moment përbën fillimin e epokës moderne të çokollatës, duke krijuar mundësinë që ajo të përdorej si një përbërës ëmbëlsirash, dhe rënia e kostove të prodhimit e bëri çokollatën shumë më të përballueshme nga shumica.

Në vitin 1847, kompania britanike e çokollatave “JS Fry & Sons”prodhoi çokollatën e parë të ngrënshme nga gjalpi i kakaos, pluhuri i kakaos dhe sheqeri. Çokollata rivale “Cadbury”, ndoqi menjëherë shembullin e saj, dhe në vitin 1854nënshkroi një kontratë për furnizimin ekskluziv me çokollatë të Mbretëreshës britanike Viktoria. Por në Zvicër prodhimi i çokollatës bëri një nga hapat më të mëdha. Në vitet 1870, zvicerani Daniel Peter përdori një qumësht pluhur të zhvilluar disa vjet më parë nga fqinji i tij Henri Nestle, për të bërë çokollatën e parë me qumësht.

Të dy formuan kompaninë Nestlé. Shpikja nga zvicerani tjetër Rudolfl Lindt në vitin 1879 e një makinerie që përdorte rulë të mëdhenj prej guri për përzierjen dhe ajrosjen e çokollatës, për t’i dhënë asaj një pamje të kadifenjtë dhe një shije shumë më të mirë, lejoi prodhimin në masë të çokollatës së butë me qumësht.

Që prej zbulimit të saj më shumë se 5.000 vjet më parë, çokollata është bërë një biznes i madh. Sipas Statista, shitjet me pakicë të çokollatës në të gjithë botën në vitin 2016 arritën në gati 100 miliardë dollarë, nga të cilat 25 miliardë dollarë vetëm në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa bima e kakaos është endemike në Amerikën, kultivimi i saj tani është zhvendosur në Afrikë, vend i cili është burimi i prodhimit të kakaos, që mbulon më shumë se dy të tretat e prodhimit botëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat