​Një në shtatë evropianë vuan nga zhurma në vesh

Shëndetësia

​Një në shtatë evropianë vuan nga zhurma në vesh

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 23:49
Foto ilustrim

Përafërsisht 65 milionë qytetarë evropianë, një në shtatë, vuajnë nga zhurma në vesh, një numër që pritet të rritet ndjeshëm gjatë dekadës së ardhshme, sipas një hulumtimi të Institutit “Mario Negri”, i publikuar në “Lancet Regional Health Europe”.

Tringëllima në veshë është perceptimi i një zhurme, zakonisht një fishkëllimë, shushurimë ose fërshëllimë në veshë ose kokë në mungesë të një stimuli akustik të jashtëm.

Në formën e saj më të rëndë, ajo mund të ndikojë fuqishëm në shëndetin emocional dhe mirëqenien sociale të njerëzve.

Studimi është i pari që shqyrton prevalencën e tringëllimës në veshë në një kampion përfaqësues të popullsisë së rritur të 12 shteteve anëtare të BE-së, i barabartë me 80 për qind të popullsisë së BE-së, plus Anglinë.

Me këtë hulumtim, midis 2017 dhe 2018, mbi 11 000 të rritur u rekrutuan në Bullgari, Angli, Francë, Gjermani, Greqi, Irlandë, Itali, Letoni, Poloni, Portugali, Rumani dhe Spanjë, duke u bërë atyre një sërë pyetjesh në lidhje me tringëllimën në veshë.

Katërmbëdhjetë për qind e evropianëve të rritur raportuan se kanë vuajtur nga tringëllima në veshë për të paktën 5 minuta gjatë 12 muajve të fundit”, shpjegon Silvano Gallus, autori kryesor i artikullit.

Forma e rëndë e këtij fenomeni u gjet në 1,2 për qind të pjesëmarrësve.

Ne zbuluam se prevalenca e tringëllimës në veshë rritet ndjeshëm me moshën dhe përkeqësimin e dëgjimit, ndërkohë që është e ngjashme në të dyja gjinitë”, shton Alessandra Lugo, bashkautore e studimit.

Sipas studiuesve, tani për tani, nuk ka trajtime apo ilaçe të miratuara për trajtimin e tringëllimës në veshë, por ka terapi të disponueshme që ndihmojnë në përballimin e simptomave.

Gjithashtu, disa nga hulumtimet më të fundit për trajtimet po tregojnë rezultate premtuese. /ATSH-ANSA/ 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat