Çrregullimi që e përjetojnë 7% e njerëzve: Gjumë në shpinë, ngurtësi muskulore dhe halucinacione

Shëndetësia

Çrregullimi që e përjetojnë 7% e njerëzve: Gjumë në shpinë, ngurtësi muskulore dhe halucinacione

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 15:40
Ilustrim

Shkencëtarët kanë zbuluar se që nga viti i kaluar, një pjesë e caktuar e njerëzve kanë pasur ëndrra të shtuara, intensive dhe afatgjata, të cilat ata ia atribuojnë mungesës së stimulimit në formën e jetës shoqërore dhe aktiviteteve gjatë epidemisë dhe punës nga shtëpia.

“Ëndrrat e pazakonta të gjalla”, të cilat filluan të ndodhin gjithnjë e më shpesh në dy të tretat e njerëzve, nxitën shumë të shkruanin për të në rrjetet sociale. Fatkeqësisht, ka një numër të madh të atyre që kanë shkruar për makthet dhe përvojat shumë të shëmtuara.

Midis këtyre përvojave janë gjithnjë e më shumë histori të COVID-it, e cila ka rritur frekuencën e përsëritjeve të paralizës së gjumit - pamundësi e përkohshme për të lëvizur ose për të folur, me halucinacione shumë të pakëndshme ndërsa një person bie në gjumë ose zgjohet.

Përvoja të shumta të atyre që kanë shkruar për këtë fenomen mund të gjenden në rrjetet sociale, si dhe përshkrime të gjendjes në të cilën truri i tyre mbeti aktiv derisa trupi ishte në qetësi. Shumë prej tyre hasën paralizën e gjumit për herë të parë gjatë epidemisë së koronavirusit.

Terapistët e gjumit Kat Lederle, Greg Potter dhe Hussein Abdeh, drejtor klinik në Medicine Direct, shpjeguan pse stresi dhe infeksioni viral mund të jenë arsyeja e rritjes së këtyre ngjarjeve, të cilat tashmë njihen në mjekësi si paraliza e gjumit.

Pamundësia për të lëvizur kur është zgjuar

Paraliza e gjumit është paaftësia për të lëvizur trupin pavarësisht se personi është zgjuar ndërsa sapo fillon të bie në gjumë ose del prej tij me 'lëvizje të shpejta të syve' në fazën REM, shpjegoi Potter.

Faza REM e gjumit është koha kur një person ëndërron ëndrrat e tij më të gjalla dhe për të parandaluar trurin të 'bëjë' atë që ndodh në ëndrra, ai paralizon shumicën e muskujve, përveç muskujve të zemrës dhe atyre që përdoren për frymëmarrje. Paraliza e gjumit ndodh me të njëjtin parim, por në gjendje zgjimi, shtoi ai.

Episodet mund të jenë shumë të frikshme

Episodet e paralizës së gjumit mund të zgjasin nga disa sekonda deri në disa minuta dhe nuk janë të rrezikshme në vetvete, por mund të jenë shumë të frikshme. Episodet më të frikshme zakonisht përfshijnë halucinacione, skena, tinguj ose ndjenja, të cilat ndoshta ndodhin për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm të ëndrrave në disa qarqe të trurit, shpjegoi Potter.

Ndërsa Hussein tha se megjithëse shkaku i saktë i paralizës së gjumit nuk është i qartë, ky fenomen është rezultat i aktivitetit të trurit ndërsa trupi është ende në gjendje gjumi, shkruan Daily Mail.

Ndodh që dobësia normale e muskujve gjatë fazës REM të gjumit, e cila na pengon fizikisht të ‘bëjmë’ ëndrrat tona, bie në gjendje zgjuarsie, prandaj njeriu nuk mund të lëvizë ose të flasë për disa momente, tha Kat Lederle.

Sulmi i parë në adoleshencë

Njerëzit që përjetojnë paralizë gjumi zakonisht e kanë krizën e parë në adoleshencë. Është gjithashtu relativisht e zakonshme te të rriturit e rinj dhe është disi më e rrallë më vonë në jetë, vuri në dukje Potter.

Episodet duket se shkaktohen nga mungesa e gjumit ose gjumi i parregullt, problemet e shëndetit mendor (siç është PTSD) ose stresi mendor dhe disa ilaçe.

Paraliza e gjumit mund të jetë gjithashtu rezultat i narkolepsisë, një çrregullim gjumi i karakterizuar nga përgjumje e lartë gjatë ditës dhe cikle të parregullta të gjumit dhe zgjimit, shtoi ai.

Kat Lederle thekson se megjithëse nuk ka pasur studime shkencore për të hetuar këtë tek njerëzit normalë që flenë, COVID-i është një arsye e mundshme për rritjen e sulmeve të paralizës së gjumit - veçanërisht për shkak të stresit me të cilin jetojnë njerëzit.

Rritja e numrit të sulmeve

"Ndoshta vetë infeksioni viral ndikon në rregullimin e gjumit në tru. Efektet neurologjike të COVID-it janë raportuar", shton Kat Lederle.

"Por mendoj se ka më shumë gjasa që të ketë një rritje të sulmeve të paralizës së gjumit për shkak të stresit, që është rezultat i ndryshimeve të mëdha në mënyrën se si jetojmë në këtë moment, pasigurisë dhe ankthit me të cilin përballemi. E gjithë kjo ndikon në ritmin tonë të gjumit”, shpjegoi ajo.

"Një studim i pacientëve me narkolepsi tregoi se ata përjetuan një rritje të numrit të sulmeve të paralizës së gjumit gjatë COVID, gjë që mund të jetë pasojë e ndryshimeve në rutinën dhe modelet e tyre të gjumit," tha Hussein.

Një numër i shtuar i maktheve, pagjumësisë dhe ëndrrave stresuese janë raportuar gjithashtu në disa studime për shkak të pandemisë. Duke qenë se është gjetur një lidhje midis këtyre kushteve dhe sulmeve të paralizës së gjumit, është e mundur që COVID të ketë shkaktuar një rritje, shton ai.

Megjithëse ka pasur pak kërkime mbi ndikimin e COVID-it në paralizën e gjumit, shkencëtarët thonë se pandemia ka shkaktuar stres të madh te njerëzit.

“Nëse ka një lidhje mes COVID-it dhe sulmeve të paralizës së gjumit, kjo mund të jetë për shkak se pandemia e COVID-it ka shkaktuar stres të madh psikologjik për shumë njerëz dhe ka prishur orarin e gjumit," tha Potter.

“Mund të ndodhë gjithashtu që paraliza e gjumit të ndodhë tek disa njerëz që vuajnë nga COVID për një kohë të gjatë, por është e vështirë të thuhet për momentin”, shtoi ai.

Duhen shtatë deri në nëntë orë gjumë

Gjëja më e rëndësishme është të flini mjaftueshëm çdo natë, shpjegoi Hussein. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të fjetur nga ora shtatë deri në nëntë çdo natë, paralajmëron ai.

Do të ishte më mirë të shkoni në shtrat pothuajse në të njëjtën orë dhe të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë. Kjo do ta sjellë trupin në një rutinë, gjë që e bën më të lehtë për ritmin biologjik të gjumit dhe zgjimit për të vlerësuar se kur është koha për të pushuar, shpjegoi Hussein, duke shtuar se trupi ka nevojë për lëvizje të mjaftueshme gjatë ditës.

Mundohuni të mos flini me shpinë, pasi gjumi me shpinë rrit mundësinë e paralizës së gjumit. Gjithashtu, nuk duhet të përdorni kafeinë ose alkool para gjumit, të pini duhan ose të hani një vakt të madh orët para gjumit, thotë Hussein.

Nëse problemi me sulmet e paralizës së gjumit ndodh më shumë se një herë dhe i bën njerëzit të ndihen keq ose të frikësuar për shkak të gjumit, duhet patjetër të flisni me një mjek. Ngjashëm është me ata që vazhdimisht ndihen të lodhur sepse nuk mund të bien në gjumë dhe të mbajnë gjumin, përfundoi Hussein.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat