Helikobakter Pylori – çfarë është dhe si i shkakton ulçërat peptike

Shëndetësia

Helikobakter Pylori – çfarë është dhe si i shkakton ulçërat peptike

Më: 10 mars 2023 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Infektimi me Helicobakter Pylori në vendet e zhvilluara është i rrallë gjatë fëmijërisë, por në vendet në zhvillim shumë fëmijë janë të infektuar para se të arrijnë moshën 10 vjeçare.

Helikobakter pylori është një bakterie, e cila zakonisht gjen strehim në stomak kryesisht në pjesën antrale. Përveç stomakut, kjo bakterie mund të shfaqet edhe në pllakëzën e dhëmbëve, në plagët në zgavrën e gojës, në pështymë dhe fece. Në bazë të statistikave kjo bakterie është e pranishme pothuajse në 50% të njerëzve në botë.

Simptomat

Prej momentit të kontaktit me bakterien Helikobakter pylori e deri te shfaqja e shenjave klinike kalojnë periudha të gjata dhe vite të tëra. Jo në të gjithë njerëzit e infektuar me helikobakter pylori mund të paraqiten shenjat klinike, pra nuk shfaqen kurrë probleme apo simptoma të sëmundjes.Megjithatë Helikobakter Pylori është i aftë të shkaktojë një sërë problemesh të traktit tretës përfshirë ulcerën dhe në raste të rralla kancerin e stomakut. H.pylori shkakton ndryshime në stomak dhe duoden (zorrën dymbëdhjetë gishtore), bakteri infekton indet mbrojtëse të mukozës së stomakut si pasojë e lirimit të disa enzimave dhe toksinave duke aktivizuar kështu sistemin imun (sistemin mbrojtës të organizmit). Sëbashku këta faktorë në mënyrë direkte dhe indirekte mund të dëmtojnë qelizat e stomakut dhe duodenit, dhe si rrjedhojë shkaktohet inflamacioni kronik (pezmatimi i vazhdueshëm) në mukozën e stomakut (gastritis) dhe duodenit (duodenitis). Shumica e individëve me gastrit ose duoden kronik nuk kanë simptoma (shenja). Megjithatë në shumë njerëz shfaqen probleme serioze përfshirë ulcerën e stomakut apo të duodenit.

Shkaktarët

Burim i infeksionit janë uji i ndotur, ushqimi dhe transmetimi i infeksionit drejtpërdrejtë nga një person i infektuar tek tjetri. Transmetimi i infeksionit bëhet nëpërmjet duarve të papastërta, konsumimit të ushqimit të kontaminuar si edhe nëpërmjet kontaktit. Në vendet në zhvillim, infeksioni kryesisht ndodh gjatë fëmijërisë dhe prek më shumë se 80% të popullsisë. Në zonat e industrializuara përqindja e përhapjes së infeksionit është nën 40%. Personat e infektuar me H.pylori mund të preken nga ulcera e stomakut në 10-20%, ndërsa 1-2% mund të preken nga kanceri i stomakut. Është e vështirë për t’u konfirmuar për here të parë transferimi i Helicobakteri tek shumë njerëz të infektuar që nga fëmijëria, kryesisht për shkak të higjienës së dobët, pasi që nga kontakti me këtë bakterie e deri te paraqitja e shenjave klinike kalojnë vite të tëra pa asnjë simptomë.

Trajtimi

Çdo person i diagnostifikuar me prezencën e H.pylori duhet të mjekohet. Trajtimi i H.pylorit ndihmon në shërimin me sukses të ulcerës, parandalon ripërsëritjen e saj dhe redukton rrezikun për komplikacione për shkak të ulcerës siç është hemoragjia. Rekomandohet një medikament inhibitor i pompës protonike, i cili ul prodhimin e acidit gastrik dhe lejon shërimin më të shpejtë të indeve të dëmtuara prej infeksionit më këtë bakterie. Medikamente të tjera për trajtim janë dy lloje antibiotikësh kohëzgjatja e së cilëve duhet të jetë 10 -14 ditë. Rekomandohen dy antibiotikë për arsye të uljes së rrezikut të mossuksesit të mjekimit dhe rezistencës së antibiotikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat