Shmangia nga pickimi i mushkonjave: Çfarë i tërheq dhe çfarë i largon

Shëndetësia

Shmangia nga pickimi i mushkonjave: Çfarë i tërheq dhe çfarë i largon

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 23:43
Ilustrim

Me ardhjen e verës shfaqen edhe mushkonjat.

Përveçse të bezdisshme, ato janë dhe të rrezikshme pasi mund të transmetojë sëmundje të shumta. Në botë ka rreth 3500 lloje të ndryshme mushkonjash: më të zakonshmet në pellgun e Mesdheut janë mushkonjat e zakonshme (Culex pipiens) që transmetojnë ethet e Nilit dhe mushkonjat tigër (Aedes albopictus) të cilat mund të transmetojnë malarinë, ethet e verdha, Chikungunya, dengue dhe virusin Zika.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mushkonjat shkaktojnë më shumë se 700,000 vdekje në vit në mbarë botën. Bazuar në të dhënat më të fundit nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ne mund të presim më shumë raste dhe më shumë vdekje nga sëmundje të tilla si dengoja, chikungunya dhe ethet e Nilit Perëndimor në Evropë në vitet e ardhshme.

Në vitin 2022, 1,133 raste njerëzore dhe 92 vdekje nga infeksioni i virusit të Nilit u raportuan në Europë: 1,112 të marra në nivel lokal në 11 vende, me Italinë kryesuese, me 723 raste të raportuara në vend.

Çfarë i tërheq mushkonjat?

Aroma e acidit

Vetëm mushkonjat femra kafshojnë sepse kanë nevojë për gjak për t’u riprodhuar dhe jo për t’u ushqyer. Faktorë të ndryshëm i shtyjnë ata të zgjedhin viktimën e tyre dhe secila specie ka preferencat e veta . Mushkonjat zbulojnë dioksidin e karbonit të emetuar nga gjahu i tyre dhe kjo, së bashku me temperaturën e trupit dhe erën e individit është një e dhënë për të zgjedhur viktimën e radhës.

Megjithatë është djersa ajo që e bën mushkonjën të zgjedhë njërën ose tjetrën pre për të thithur gjak. Në fakt, kur djersihemi, lëshojmë substanca kimike si acidi laktik ose oktanoli të cilat i tërheqin këto insekte. Megjithatë, këto komponime ndryshojnë nga personi në person dhe për këtë arsye ka individë që janë më tërheqës se të tjerët (gratë shtatzëna janë më shpesh subjekt i kafshimit të tyre). Sipas një studimi të publikuar në Cell , është aroma acidike e lëkurës ajo që vepron si magnet për mushkonjat. Megjithatë, është gjenetika ajo që ndikon kryesisht në erën e individit dhe për disa njerëz çdo ilaç do të jetë i padobishëm, sipas Corriere Della Sera.

Ngjyra e veshjes

Në disa specie, ngjyra e veshjeve është treguar se ndikon në zgjedhjen e mushkonjave. Duket se mushkonja tigër tërhiqet veçanërisht nga ngjyra e zezë, prandaj duhet të vishni rroba me ngjyra të çelura, ku ndër të tjera ju mbrojnë edhe nga vapa në stinën e nxehtë.

“Mushkonjat tërhiqen gjithashtu nga rrobat e ngushta, “ thotë María José Ruiz, një studiuese në Stacionin Biologjik Doñana (EBD) në Spanjë, për El Pais.

Sapuni

Sapunët ndikojnë në aromën tonë, por njerëz të ndryshëm që përdorin të njëjtin sapun kanë erë të ndryshme. Një studim i publikuar së fundmi në Cell zbuloi se disa individë u bënë më tërheqës për mushkonjat duke u larë me dy lloje sapuni, ndërsa një sapun i tretë largonte insektin e bezdisshëm. Megjithatë, rezultatet nuk mund të përgjithësohen sepse gjithçka varet nga ndërveprimi midis erës së individit dhe produktit të përdorur, si dhe nga lloji i mushkonjave.

Bananet

Një studim amerikan zbuloi se mushkonjat duken më të tërhequra nga aroma e duarve të disa njerëzve që kishin ngrënë një banane. E njëjta gjë nuk ndodhi me rrushin ku në një artikull të botuar në The Convestation thuhet: Nuk u pa asnjë ndryshim në frekuencën e kafshimeve mes vullnetarë që kishin ngrënë ose nuk kishin ngrënë rrush.

Birra

Birra duket të jetë një faktor tërheqës për mushkonjat. Një studim i publikuar në vitin 2010 zbuloi se trupat e vullnetarëve ishin më tërheqës për mushkonjat pasi kishin konsumuar birrë. Në përgjithësi, alkooli shkakton një rritje të temperaturës së trupit dhe si pasojë djersitje, gjë që mushkonjat e pëlqejnë aq shumë. Në studim, nuk u pa asnjë rritje në pickimin e mushkonjave pas konsumimit të ujit. Kufiri i këtij lloji hetimi është fakti se ato kryhen në një lloj të vetëm mushkonjash dhe nuk mund të përgjithësohen sepse çdo lloj insekti sillet ndryshe dhe ka “shije” të ndryshme.

Deodoranti

Një studim në Nature zbuloi se një përbërës në deodorant (izopropil tetradekanoat) i largon mushkonjat dhe i ndalon ato të zbresin në sipërfaqen me deodorant. Ka pasur një rënie prej 56% të numrit të kafshineve nga mushkonjat. Mund të jetë një pengesë e mirë për të vendosur deodorant që përmban këto komponime përpara stërvitjes, pasi dihet prej vitesh që mushkonjat tërhiqen më shumë nga njerëzit e djersitur.

Miti i rremë i hudhrës dhe vitaminës B

Disa njerëz hanë hudhër dhe marrin suplemente të vitaminës B si një ilaç shtëpiak për të larguar mushkonjat. Megjithatë, nuk ka asnjë vërtetim shkencor pas këto zgjedhje. Në një studim të vitit 2005, pjesëmarrësit u ekspozuan ndaj mushkonjave pasi kishin konsumuar hudhër. Nuk kishte asnjë provë që hudhra të largonte kafshimet e mushkonjave. Një studim tjetër tregoi gjithashtu se suplementet e vitaminës B nuk ndikojnë në zgjedhjet e mushkonjave.

Llojet e ndryshme të repelentëve kimikë

Deet (diethyltoluamide) është një kimikat që gjendet në shumë repelentë të insekteve dhe mund të përdoret në lëkurë të zhveshur. Është një substancë që u shpik nga ushtria amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka erë të mirë (për ne dhe mushkonjat), është e vajosur, por ofron mbrojtje më të gjatë kundër pickimit të mushkonjave sesa repelentët e tjerë. Nuk i vret mushkonjat por i dekurajon ato nga pickimi. Repelentët me përbërës të tjerë aktivë si citrodiol dhe icaridin janë gjithashtu të zakonshme. Ekspertët pajtohen se mënyra më e mirë për t’i mbajtur larg mushkonjat është të përdorni një repelent të mirë dhe të ndiqni udhëzimet e etiketës.

Trajtoni rrobat me insekticid

Nëse nuk ju pëlqen të aplikoni repelent direkt në lëkurën tuaj, mund t’i spërkatni rrobat tuaja me një insekticid si permethrin , një metodë e përdorur nga ushtria. Kjo është një mënyrë efektive për të parandaluar që mushkonjat të pickojnë. Rrobat duhet të spërkaten në mënyrë të barabartë pa i lagur dhe të lihen të thahen. Efekti zgjat rreth një muaj nëse rrobat nuk lahen dhe zvogëlohet me çdo larje.

Ujë i ndenjur

Kur një mushkonjë kafshon në shtëpi ka shumë mundësi që ajo të ketë lindur në shtëpi ose në shtëpinë e fqinjit. Këta insekte kanë nevojë për ujë për të hedhur vezët dhe për t’u zhvilluar, kështu që është mirë të kontrolloni çdo enë ku mund të grumbullohen, si vazot e luleve, uji i qëndruar në lavamanë etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat