Misioni i sondës “Perseverance” në Mars

Shkencë & Teknologji

Misioni i sondës “Perseverance” në Mars

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 21:03
NASA uli dje me sukses sondën “Perseverance” në Mars

NASA uli dje me sukses sondën “Perseverance” në Mars pas shkëputjes së saj nga orbita e planetit rreth të cilit fluturonte krahas një sateliti të Emirateve të Bashkuara dhe një satelitë tjetër të Kinës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi na njeh me sfidat që e presin sondën e NASA-s dhe zbulimet që mund të bëjë ajo.

Shtatë muaj pas nisjes nga Kepi Kanaveral i Floridës, sonda e NASA-s “Perseverance” përfundoi një udhëtim hapësinor prej gati 500 milionë kilometrash në sipërfaqen e Marsit. Misioni i saj është kërkimi për shenja të jetës së lashtë në Planetin e Kuq. Tani, shkencëtarët e NASA-s si Lori Glaze janë më të lehtësuar pasi ulja e rrezikshme e sondës u realizua me sukses.

"Gjëja më e rrezikshme dhe më sfiduese është hyrja në atmosferën e Marsit sepse ajo është shumë e hollë. Ajo është rreth një qind përqind më e hollë se atmosfera e Tokës, kështu që nuk është mjaftueshëm për të ngadalësuar shpejtësinë e sondës. Pra, kjo është shumë sfiduese”, thotë Lori Glaze, drejtore e Divizionit të Shkencave Planetare të NASA-s.

NASA synon të përdorë sondën për të studiuar kraterin Jezero që shkencëtarët besojnë se dikur ishte i mbushur me ujë, një parakusht thelbësor për jetën.

“Perseverance” është sonda më e madhe që NASA ka dërguar në Mars. Në bordin e saj është helikopteri “Ingenuity”. Së bashku ato do të studiojnë sipërfaqen e Marsit dhe do të mbledhin mostra

që mund të tregojnë nëse ka patur ndonjëherë jetë jashtë Tokës. Por sonda do të bëjë më shumë, thotë shkencëtari i NASA-s Thomas Zurbuchen.

"Përveç uljes dhe hulumtimit për shenja të lashta jete në Mars, është ngazëllyes edhe fakti që mostrat që do të mblidhen nga sonda do të sillen në Tokë. Nëse gjithçka shkon ashtu siç shpresojmë, në fund të kësaj dekade do të realizojmë udhëtimin e parë vajtje-ardhje në planetin e Marsit”, thotë Thomas Zurbuchen nga Departamenti i Misioneve Shkencore të NASA-s.

“Perseverance” është planifikuar të kalojë të paktën një vit marsian, ose dy vjet të Tokës, duke eksploruar zonën ku është ulur në shtratin e një liqeni të lashtë që dikur mbulonte kraterin Jezero./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat