Dell rifreskon linjën Inspiron, shton një model të ri

Shkencë & Teknologji

Dell rifreskon linjën Inspiron, shton një model të ri

Më: 13 prill 2021 Në ora: 17:02
Dell

Dell prezantoi ditën e sotme gjeneratën e re të laptopëve të rangut të mesëm Inspiron dhe së bashku me to sjell edhe ca ndryshime të mirëpritura.

Përveç rritjes së performancës që e presim çdo vit, kompania prezantoi edhe një model të ri Inspiron 16 Plus të kësaj linje së bashku me versionet e përditësuara Inspiron 13, 14, 15 dhe 14 2n1.

Inspiron 16 Plus sjell ekranet 16-inç tek kjo linjë me rezolucion 3K dhe raport 16:10. Krahasuar me modelin 15.6-inç të Inspiron 15 i cili ka raport 16:9 kjo përfaqëson një rritje me 11%.

Modelet e reja kanë një TouchPad i cili është 30% më i madh sesa gjenerata e kaluar dhe falë kornizave të holla ekrani përbën 89% të panelit.

Si çdo laptop me ekran të madh, Inspiron 16 Plus është dizajnuar për të përballuar detyra të rënda dhe për këtë arsye ka integruar procesorët e gjeneratës së 11-të Intel H dhe kartat grafike GTX ose RTX.

Laptop 2n1 i cili mund të përdoret edhe si tablet, Inspiron 14 2n1 vjen me procesorët standardë Intel 11-Gen U ose Ryzen 5000.

E nëse nuk jeni një adhurues i këtyre modeleve, atëherë duhen konsideruar modelet Inspiron 13, 14 dhe 15. Treshja vjen me teknologjinë Express Charge duke karikuar baterinë në 80% për 60 minuta. Përdoruesit tek këto modele mund të zgjedhin procesorë Intel ose AMD ndërsa Inspiron 13 vetëm procesorë Intel.

Inspirn 14, 14 2n1 dhe 15 nisin shitjet nga data 4 Maj për 550, 729 dhe 550 dollarë respektivisht. Inspiron 13 është në shitje për 599 dollarë ndërsa Inspiron 16 Plus më 3 Qershor për 950 dollarë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat