Perspektivat e turizmit hapësinor

Shkencë & Teknologji

Perspektivat e turizmit hapësinor

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 20:34
Foto ilustrim

Suksesi i fundit i kompanive private të fluturimeve në hapësirë ka ngjallur interesin e kërkuesve të aventurave, por çmimi i i udhëtimeve në hapësirë është shumë i lartë për shumicën e njerëzve. Ekspertët thonë se pas pak vitesh, çmimet për një udhëtim në hapësirë ka të ngjarë të ulen mjaftueshëm në mënyrë që njerëzit e zakonshëm t’i përballojnë.
 

Një pamje e kohëve të fundit e planetit tonë u mundësua nga kompania private e fluturimeve hapësinore SpaceX. John Strickland është drejtor i përgjithshëm i Shoqërisë Kombëtare të Hapësirës dhe ka shkruar mbi kolonizimin e hapësirës. Ai thotë për Zërin e Amerikës se orbita e Tokës është vetëm fillimi.

“Nga viti 2030 pres që të jetë duke u ndërtuar në Mars një bazë e sponsorizuar nga SpaceX. Mund të ndodh më shpejt. Ata mund ta kryejnë fluturimin e parë testues në vitin 2024. Do të ishte e pabesueshme nëse kjo bëhej vitin që vjen”.

Elon Musk, themeluesi i SpaceX, mbetet lojtari i vetëm kryesor miliarder në eksplorimin e hapësirës, që nuk ka udhëtuar në hapësirë. Por qasja e tij metodike për udhëtimet hapësinore mund të korrë përfitime afatgjata.

Greg Autry është zëvendëspresident i zhvillimit të hapësirës në Shoqërinë Kombëtare Hapësinore dhe profesor në Fakultetin “Thunderbird” për Menaxhimin Global në Arizona. Ai i thotë për Zërin e Amerikës se e vlerëson zotin Musk për vazhdimin e sukseseve të mëparshme si pjesë e një strategjie të gjatë për biznesin e eksplorimit të hapësirës.

“Eloni është gjeni, sepse kërkon ta bëjë Marsin si Tokën. Por askush nuk është i gatshëm të paguajë për këtë. Kështu që ai ka disa plane biznesi me disa faza. Biznesi i lëshimit, biznesi i fluturimeve kozmike njerëzore, biznesi i satelitëve Starlink. Ai e kupton se duhen disa lloj biznesesh që kompanitë e tij të sigurojnë përfitime monetare për të investuar në projektet e tij private afatgjata.”

Kohët e fundit është shfaqur edhe komponenti i turizmit hapësinor i eksplorimit të hapësirës ndërsa themeluesi i firmës “Virgin Group” Richard Branson kreu një fluturim të suksesshëm në hapësirë me një aeroplan të kompanisë “Virgin Galactic”.

Nëntë ditë më pas, themeluesi i kompanive Amazon dhe “Blue Origin”, Jeff Bezos u nis drejt hapësirës me raketën e tij “New Shepard”. “Blue Origin” dhe “Virgin Galactic” thonë se kanë shitur tashmë bileta me vlerë miliona dollarë për fluturimet e ardhshme.

Në Gjermani, “Design Travel Agency” po shet paketa udhëtimi në bordin e aeroplanit “Virgin Galactic”. Marion Aliabadi është menaxhere e kompanisë së udhëtimeve.

“Ndoshta është ideja për të qenë ndër turistët e parë në hapësirë, për të thënë që ‘unë e përjetova këtë’, ose ‘theva një barrierë’ apo, ‘arrita ta bëjë këtë’. Pra është si puna e një testi. Njerëzit gjithmonë duan të shkojnë më tej, duan të zgjerojnë horizontet e tyre. Kjo mund të jetë shumë tërheqëse për njerëzit që kanë bërë shumë gjëra", thotë ajo.

Për ata me llogari të mëdha bankare, bileta për një fluturim me anijen hapsinore “Virgin Galactic” është 250,000 dollarë dhe udhëtimi zgjat dhjetë minuta. “Blue Origin” ende nuk e ka publikuar çmimin e biletave për fluturimet e saj. Ekspertët parashikojnë që kostot e biletave të ulen në mijëra dollarë brenda një dekade./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat