10-vjeçarja ka IQ më të lartë se Ajnshtajni dhe tashmë po studion në universitet

Shkencë & Teknologji

10-vjeçarja ka IQ më të lartë se Ajnshtajni dhe tashmë po studion në universitet

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 00:32
Adhara Pérez Sánchez

Kur Nallely Sánchez dëgjoi nga mjekët se vajza e saj dyvjeçare, Adhara Pérez Sánchez, vuan nga sindroma Asperger, ajo nuk e imagjinonte zhvillimin që do të kishte fëmija i saj.

Dhe kjo për shkak se ky çrregullim specifik neurozhvillues – që i përket spektrit të autizmit – karakterizohet nga deficite në funksionet bazë të sjelljes së pacientëve, si kontakti social dhe komunikimi me të tjerët.

Sigurisht që askush nuk e dinte potencialin e Adharës së vogël, e cila sipas ekspertëve ka një IQ 162, duke tejkaluar kështu emrat e mëdhenj të shkencës si Albert Einstein që kishte një IQ 160 dhe Stephen Hawking që kishte një IQ 154.

Në moshën 5-vjeçare, meksikanja Adhara Pérez Sánchez mbaroi shkollën fillore. Pak pasi ishte gjashtë vjeç, mbylli shkollën e nëntëvjeçare, ndërsa në moshën 8-vjeçe mori diplomën e shkollës së mesme.

Sigurisht që ajo nuk u ndal me kaq dhe vazhdon të ndjekë ëndrrën e saj: Hapësirën dhe NASA-n.

Adhara tani po studion inxhinieri sistemesh në Universidad CNCI dhe inxhinieri industriale me fokus në matematikë në UNITEC (Universidad Tecnológica de México). Gjithashtu i është ofruar një bursë nga universitetet amerikane.

Presidenti i universitetit të Arizonës, Robert C. Robbins, tregon se i ka dërguar një ftesë personale nga Universiteti i Arizonës.

"U emocionova kur lexova për historinë tuaj të pabesueshme në internet dhe zbulova se shkolla juaj e ëndrrave është Universiteti i Arizonës," tha ai në letrën e tij, duke shtuar se "ne kemi shumë programe të shkëlqyera të shkencës hapësinore dhe do të kishit shumë mundësi për të punuar krah krah për krah me ekspertët kryesorë në botë… Ju keni një të ardhme të ndritur përpara dhe shpresoj t’ju mirëpres në kampus një ditë.”

Fatkeqësisht, kufizimet e vizave amerikane nuk e lejuan mrekullinë e vogël të vazhdonte studimet atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat