Teleskopi hapësinor i Evropës niset sot në misionin e parë

Shkencë & Teknologji

Teleskopi hapësinor i Evropës niset sot në misionin e parë

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 10:39
Nisja është planifikuar nga Kepi Canaveral në Florida në orën 11:12

Teleskopi hapësinor Euclid i Evropës është planifikuar të “shpërthejë” të shtunën në misionin e parë që synon të hedhë dritë mbi dy nga misteret më të mëdha të universit.

Sipas mediave të huaja, nisja është planifikuar nga Kepi Canaveral në Florida në orën 11:12 me orën lokale në një raketë Falcon 9 të kompanisë amerikane SpaceX.

Agjencia Evropiane e Hapësirës u detyrua t’i drejtohej firmës së miliarderit Elon Musk për të nisur misionin pasi Rusia tërhoqi raketat e saj Soyuz në përgjigje të sanksioneve për luftën në Ukrainë.

Pas një udhëtimi njëmujor nëpër hapësirë, Euclid do t’i bashkohet teleskopit hapësinor James Webb.

Nga atje, Euclidi pritet të hartojë “hartën më të madhe të universit”.

Shkencëtarët shpresojnë ta përdorin këtë informacion për të adresuar atë që menaxheri i projektit Euclid, Giuseppe Racca e quan një “siklet kozmik”: se 95 për qind e universit mbetet e panjohur për njerëzimin.

Rreth 70 për qind mendohet të jetë energji e errët, emri që i është dhënë forcës së panjohur që po bën që universi të zgjerohet me një ritëm të përshpejtuar.

Dhe 25 për qind është materie e errët, që mendohet se ”lidh” universin dhe përbën rreth 80 për qind të masës së tij.

“Që kur kemi mundur të shohim yje, ne kemi pyetur veten, a është universi i pafund? Nga është krijuar ai? Si funksionon?”, ka thënë shkencëtari i projektit Euclid të NASA-s, Michael Seiffert.

“Është absolutisht e mahnitshme që ne mund të marrim të dhëna dhe në fakt të fillojmë të bëjmë edhe pak përparim në disa nga këto pyetje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat