Rënia e numrit të balenave gri në botë, studiuesit: Ka ende shpresë

Shkencë & Teknologji

Rënia e numrit të balenave gri në botë, studiuesit: Ka ende shpresë

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 15:06
Foto ilustrim

Numri i balenave gri në bregun e oqeanit paqësor në Amerikën e Veriut ka rënë në nivelin më të ulët që nga fundi i viteve 1960 dhe fillimi i viteve 1970. Megjithatë, sipas shkencëtarëve ka patur shenja inkurajuese të balenave të porsalindura të cilat janë më të shëndetshme se më parë.

“Në vitin 2023, në brigjet e Meksikës kemi parë më pak ngordhje të balenave gri dhe kjo është një shenjë e mirë. Kemi qenë dëshmitarë të rritjes së riprodhimit të balenave gjatë këtyre viteve të fundit, gjë që është inkurajuese. Nga ana tjetër ka patur më pak balena jo të shëndetshme. Kjo do të thotë se balenat kanë filluar të gjejnë ushqimin që me sa duket nuk ishin në gjendje të gjenin në pesë vitet e fundit  dhe kjo po bënte që kjo sasi e pamjaftueshme e rezervave të yndyrës dhe energjisë trupore të mos zgjaste gjatë dimrit. Kur balenat fillonin të migronin në veri, ato ishin të paafta për të rezistuar dhe si rrjedhim ngordhnin”.

Balenat gri janë një komponent i rëndësishëm i ekosistemit të Bregut Perëndimor, ndërsa migrojnë mijëra milje midis ujërave të Alaskës dhe lagunave të Baja California Sur në Meksikë, ku çiftëzohen dhe lindin.

Rënia  e balenave gri besohet të jetë e lidhur me mungesën e ushqimit përveç faktorëve njerëzorë. Ato shpesh lëndohen nga anijet që lundrojnë në det dhe ngecin në rrjetat e peshkimit.

Rritja e numrit të balenave gri për ekspertët mund të jetë rezultat i përshtatjes së balenave me mungesën e ushqimit duke e gjetur atë diku tjetër.

Steven Swartz, i cili monitoron migrimet e balenave gri në Meksikë për Programin e Shkencës së Ekosistemit Laguna San Ignacio shprehet optimist për shenjat pozitive të evidentuara gjatë vëzhgimit të balenave. Ky informacion ndahet shpesh edhe me kolegët që punojnë në Administratën Kombëtare të  Oqeanit dhe Atmosferës.

“Ne jemi në gjendje të dokumentojmë balenat në Gjirin e San Franciskos dhe të shikojmë gjendjen e trupit të tyre dhe ta ndajmë këtë informacion me studiuesit. Duke bërë fotografi dhe duke identifikuar vendin se ku ndodhen balenat, ne mund ta ndajmë këtë informacion me partnerët tanë në zona të tjera përgjatë bregdetit dhe gjatë migrimit të balenave, në mënyrë që ata të kuptojnë se si duket gjendja e trupit pasi një balenë mund të kthehet në vendet e ushqimit ose  kur janë  rrugës për në vendet ku shumohen. Pra, i gjithë ky informacion është jashtëzakonisht i dobishëm për të kuptuar se çfarë po ndodh me balenat gri”, tha Kathi George.

Në Gjirin e San Franciskos, Kathi George dhe kolegët e saj nga Qendra e Gjitarëve Detarë të cilët vëzhgojnë rregullisht balenat gri kanë parë një rekord  prej 19 balenash këtë vit, një rritje sipas tyre e papritur.

“Është vërtet emocionuese të shohësh 19 balena të ndryshme që vijnë në gji dhe viti ende  nuk ka mbaruar. Mund të kemi më shumë për të identifikuar. Është e mahnitshme t’i shohësh ato duke bërë këto sjellje që ne nuk arrijmë t’i shohim shpesh, siç është të ushqehen poshtë në baltë. Por shkak për shqetësim është se ato janë në zona shumë problematike. Nëse shikojmë një hartë ku janë parë këto balena dhe ku ndodhen ato sot është se balenat gri  janë në dhe pranë rrugëve detare ku kalojnë tragetet. Ka shumë anije që shfrytëzojnë zonën. Kështu që mendoj se duke pasur parasysh afërsinë e balenave me rrugën që ndjekin këto anije më shqetëson. Nuk dua t’u ndodhë asgjë atyre.”

Si banore e San Franciskos për George ky është një lajm fantastik.

“Rritja e numrit të balenave të shëndetshme është një shenjë pozitive duke pasur parasysh uljen e popullsisë së tyre. Dhe banore e Gjirit të San Franciskos kjo është një arsye më shumë për t’u lumturuar. Është emocionuese t’i shohësh ato, por në të njëjtën kohë edhe një arsye për t’u bërë më të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ato paraqesin”.          

Sot një numër më i madh njerëzish kanë rastin të shohin gjatë shëtitjeve me anije gjitarët gjigandë të detit. Edhe për studiuesit e tjerë rritja e numrit të tyre do të thotë përmirësim të ekosistemit të oqeaneve.

“Kur je një studiues i botës së egër ndihesh keq kur këto specie rrezikohen ose po kalojnë një moment të vështirë. Në fund ti je një shkencëtar, por sërish ndihesh keq kur ka anomali në botën e egër nga e cila përpiqesh të mësosh sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe e njëjta gjë  ndodhi me ne me balenat. U ndjemë tmerrësisht keq kur filluam të shihnim balena  gjithnjë e më pak në numër ose përqindje .Jo vetëm kaq por shumë pak prej tyre po ja dilnin të ushqeheshin dhe po ngordhnin   urie me ritme shumë të larta. Pra, të shohësh uljen e shkallës së vdekshmërisë dhe të rikthehen  lidnjet është një ndjenjë mjaft e mirë. Pra në fund ti ndihesh më mirë për ta. Ata po arrijnë të përshtaten.”

Siç tregojnë studimet, balenat janë shumë të vlefshme se ç’mendohej më parë si për rezervat e peshkut, ashtu edhe për vetë oqeanin prandaj shtimi i numrit të balenave të shëndetshme është një lajm i mirëpritur për studiuesit e tyre.

“Për sa kohë ka ushqim që prodhohet dhe që shpërndahet në zona të ndryshme teknikisht balenat gri u duhet vetëm të gjejnë se ku ndodhet ushqimi. Nga ajo që kemi parë në 4 dhe 5 vitet e fundit është se këto ndryshime kanë  ndikuar tek balenat gri dhe regjimi i tyre i të ushqyerit. Atyre u është dashur të gjejnë vende më të mira për të ushqyer ose vende të reja ku nuk ishin ushqyer historikisht në mënyrë që të  mund të gjejnë ushqim të mjaftueshëm. Pra ka tregues të qartë  në të vërtetë  ata po ia dalin pavarësisht problemeve që kanë hasur duke vendosur sërish regjimin e tyre të të ushqyerit gjatë muajve të verës. Kjo  do t’i mbajë ata të shëndetshëm dhe do të rikthejë shkallën e riprodhimit. Dhe shkalla e vdekshmërisë do të bjerë.”

Për shkencëtarët janë ata që dëshmojnë udhëtimin e gjatë të balenës i cili është edhe një sinjal i fuqishëm i aftësisë ripërtëritëse të natyrës. Edhe pse njerëzit janë të mrekulluar nga balenat, ekspertët thonë se nuk dinë shumë për to.

Balenat mund të jetojnë deri në 200 vjet, mund të mos flenë për tre muaj dhe të qëndrojnë pa ngrënë deri në tetë muaj. Ato gjithashtu mund të dëgjojnë njëra-tjetrën deri në 15 kilometra larg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat