Krimbat pa sy dhe pa tru mund të ndjejnë diçka të ngjashme me frikën

Shkencë & Teknologji

Krimbat pa sy dhe pa tru mund të ndjejnë diçka të ngjashme me frikën

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Sado e pabesueshme të duket, krimbat pa sy, kurriz dhe tru duket se ndjejnë emocione bazë. Hulumtimet e fundit kanë treguar se nematodi Caenorhabditis elegans ka një reagim negativ të vazhdueshëm ndaj goditjeve elektrike.

Shkencëtarët nga Universiteti Nagoya City në Japoni dhe Universiteti Northeastern në SHBA thonë se një reagim i tillë afatgjatë tregon përjetimin e një gjendjeje të ngjashme me frikën. Kohëzgjatja dhe ashpërsia e reagimit negativ të krimbit duket se rregullohet nga një qark nervor specifik në sistemin e tij të thjeshtë nervor, në vend të stimulimit të drejtpërdrejtë të sistemit motorik.

“Këto veti konsiderohen si tipare thelbësore të emocioneve, gjë që tregon se përgjigja e C. elegans ndaj goditjes elektrike në fakt pasqyron një formë emocioni të ngjashme me frikën”, thonë ekspertët në hulumtim. Eksperimentet e fundit mbi gaforret, grerëzat dhe mizat e frutave kanë treguar se jovertebrorët mund të përjetojnë gjendje të përhershme pozitive dhe negative njohëse pas stimujve specifikë.

Vetë Charles Darwin shkroi më shumë se një shekull më parë se “madje edhe insektet shprehin zemërimin, frikën, xhelozinë dhe dashurinë”, megjithëse kjo bazohej kryesisht në prirjen njerëzore për të antropomorfizuar (duke atribuar karakteristikat njerëzore për sendet, fenomenet, bimët dhe kafshët) dhe jo në eksperimente objektive.

Brenda komunitetit shkencor, ekziston një pjesë e ekspertëve që besojnë se emocionet nuk mund të maten në një mënyrë objektive dhe se duhet ta hedhim poshtë termin tërësisht. Të tjerë mendojnë se ne duhet të përpiqemi ende t’i qasemi emocioneve në mënyrë shkencore, shkruan sciencealert.

Në vitin 2014, biologët David Anderson dhe Ralph Adolphs paraqitën një kornizë për matjen sa më objektive të emocioneve të kafshëve. Ata besojnë se emocionet janë gjendje të brendshme për të cilat kafsha mund ose nuk mund të jetë e vetëdijshme dhe të cilat shkaktohen nga stimuj të caktuar.

Sipas Anderson dhe Adolphs, përgjigja e një kafshe ndaj një stimuli (qoftë fiziologjik, kognitiv ose i sjelljes) duhet të plotësojë katër kritere kryesore për t’u konsideruar emocionale: duhet të vazhdojë pasi stimuli të jetë zhdukur, duhet të rritet ose të ulet me diapazonin e stimuli, ai duhet të dominojë reagimet e tjera të sjelljes dhe duhet të jetë konsistent në varësi të llojit të stimulit.

Reagimi i C. Elegans duket se plotëson të paktën tre nga katër kriteret, duke sugjeruar se edhe krimbat mund të përjetojnë emocione bazë si frika. Gjegjësisht, pasi krimbat ndjenë rrymën alternative elektrike për 45 sekonda, ata vazhduan të ikin nga ai vend me shpejtësi të madhe për më shumë se dy minuta.

Edhe kur shkencëtarët vendosën ushqimin pranë tyre, krimbat vazhduan të iknin dhe të injoronin vaktin gjatë përjetimit të kësaj gjendje, duke treguar se gjendja e tyre negative mbizotëronte stimujt pozitivë. Kur tronditja zgjati vetëm pesë sekonda, krimbat vrapuan për 1.5 minuta përpara se të qetësoheshin përfundimisht.

Tani nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar nëse forma si C. elegans tregojnë gjithashtu gjendje emocionale pozitive bazuar në shpërblime si ushqimi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat