Shkencëtarët zbulojnë vrimën e zezë më të vjetër deri më sot

Shkencë & Teknologji

Shkencëtarët zbulojnë vrimën e zezë më të vjetër deri më sot

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 20:00
Foto ilustrim

Shkencëtarët kanë zbuluar vrimën e zezë më të vjetër deri më tani, një hapësirë kozmike e formuar afro 470 milionë vjet pas fillimit të krijimit të gjithësisë, fenomen që njihet si teoria ‘Big Bang’. Zbulimi nga teleskopi hapësinor i NASA-s ‘James Webb’ dhe Observatori i Rrezeve X Chandra, konfirmon se vrimat e zeza supermasive ekzistonin në periudhën e formimit të universit. Një vrimë e zezë është një pjesë e hapësirës në univers ku graviteti është aq i fuqishëm sa edhe drita nuk mund të shpëtojë.

Universi mendohet se ka një moshë prej 13.7 miliardë vitesh, çka nënkupton se vrima e zezë e zbuluar kohët e fundit, e njohur si UHZ1, mund ketë një moshë afro 13.2 miliardë vjeçare.

Shkencëtarët i ka befasuar madhësia e kësaj vrime të zezë, 10 herë më e madhe se vrima e zezë që gjendet në galaktikën tonë të njohur si “Rruga e Qumështit”.


Gjetjet që u publikuan ditë më parë konfirmojnë teoritë se vrimat e zeza supermasive ekzistonin në prag të formimit të universit.

Shkencëtarët e Teleskopit Hapësinor James Webb të NASA-s dhe Observatorit të Rrezeve X Chandra filluan bashkëpunimin vitin e kaluar për të studiuar dhe zbuluar vrimën e zezë.

Shkencëtarët besojnë se vrima e zezë peshon diku mes 10% deri 100% sa masa e të gjithë yjeve në galaktikën e saj, thotë Akos Bogdan me Qendrën Harvard-Smithsonin për Astrofizikën.

Hulumtuesit besojnë se vrima e zezë u formua nga retë kolosale të gazeve të formuara nga përplasja e një galaktike fqinje me një galaktikë me yje. Dy galaktikat u bënë njësh dhe vrima e zezë i përbiu ato.

Dy teleskopët, Webb dhe Chandra, përdorën teknikën e fokusimit të dritës gravitacionale për të zmadhuar vendndodhjen e galaksisë UHZ1 dhe vrimës së zezë.

Teleskopët përdorën dritën nga një grup galaktikash shumë më pranë, rreth 3.2 miliardë vite dritë nga Toka, për të zmadhuar pamjen e galaktikës UHZ1 dhe vrimën e zezë, shumë larg në periferi saj.

I lëshuar në hapësirë në vitin 2021, rreth 1.6 milionë kilometra larg, teleskopi Webb është observatori astronomik më i madh dhe më i fuqishëm që vëzhgon universin përmes rrezeve infra të kuqe.

Në vitin 1999, anija hapësinore Kolumbia lëshoi teleskopin Chandra i cili vëzhgon universin duke përdorur rrezet X. Po atë vit, NASA zbuloi imazhet e para nga shpërthimi i yjësisë Cassiopeia-A, fenomen që njihet si supernova.

Afro një çerek shekulli më vonë, teleskopi ende vazhdon të ndihmojë shkencëtaret për të kuptuar universin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat