Teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s ka zbuluar një planet me “rërë që bie si pika shiu”

Shkencë & Teknologji

Teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s ka zbuluar një planet me “rërë që bie si pika shiu”

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

Teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s, ka zbuluar një planet me “rërë që bie si pika shiu”.

Mediat raportojnë se planeti Wasp-107b shtrihet 200 vite dritë larg, ka temperatura përvëluese, erëra të fuqishme, është shumë i madh por “shumë i lehtë”.

Planeti u zbulua në vitin 2017 por James Webb i çoi kërkimet në nivel tjetër duke matur dritën e yjeve që filtrohet përmes atmosferës së planetit, shkruajnë mediat e huaja.

Për shkak se elementë të ndryshëm thithin gjatësi vale të ndryshme të dritës, spektri i dritës së yjeve tregon se cilat gazra janë të pranishëm.

Natyra e tij “e madhe dhe e përhapur” thuhet se ka lejuar teleskopin James Webb të shikojë thellë në atmosferën e tij.

“Ne kemi punuar në parashikime për 10 vitet e fundit, por asgjë nuk na ka përgatitur plotësisht për atë që po shohim në të vërtetë” , tha Dr Joanna Barstow, një shkencëtare planetare.

Është hera e parë që është identifikuar përbërja kimike e reve në një planet tjetër – në këtë rast, “rëra silikate”.

Dhe niveli i detajeve që merren nga objektivat si Wasp-107b shihet si një shenjë inkurajuese.

“Universi ka kaq shumë surpriza, unë mendoj se mund të ketë mënyra të ndryshme alternative për formimin e jetës në një planet tjetër. Mund të jetë shumë ndryshe nga jeta në tokë”, tha Decin.

Ndryshe, vënë në pah mediat, një qëllim qendror i teleskopit hapësinor James, është të analizojë atmosferat e planetëve të largët dhe të kërkojë për gazra që mund të tregojnë praninë e jetës.

Sidoqoftë Wasp-107b nuk konsiderohet si një kandidat i mundshëm, duke pasur parasysh klimën e tij prej 1000 gradë Celsius dhe mungesën e një sipërfaqeje të fortë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat