Zbulohet një anakonda e re gjigante në xhunglën e Amazonës – tetë metra e gjatë dhe peshon mbi 200 kilogramë

Shkencë & Teknologji

Zbulohet një anakonda e re gjigante në xhunglën e Amazonës – tetë metra e gjatë dhe peshon mbi 200 kilogramë

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 08:15
Zbulohet një anakonda e re gjigante në xhunglën e Amazonës

Shkencëtarët kanë zbuluar një specie të re të anakondës gjigante në një zonë të largët dhe të fshehur të Amazonës me ndihmën e një fisi indigjen.

Biologu Bryan Fry nga Universiteti i Queensland në Australi udhëhoqi ekipin që gjeti dhe studioi disa ekzemplarë të anakondas së gjelbër veriore të sapo zbuluar në rajonin Bameno.

“Ne ishim të ftuar nga fisi Waorani për të eksploruar rajonin dhe për të mbledhur mostra të një popullate të caktuar anakondash, që përflitet si më e madhja ndonjëherë. Gjuetarët vendas na dërguan në xhungël në një ekspeditë 10-ditore. Fisi, në fakt, këta gjarpërinj i konsideron si të shenjtë”, tha ai.

Fry thotë se anakonda e gjelbër veriore u nda nga anakonda e gjelbër jugore pothuajse 10 milionë vjet më parë dhe se ato ndryshojnë gjenetikisht me 5.5 për qind.

“Ky është një ndryshim shumë domethënës. Për shembull, njerëzit ndryshojnë nga shimpanzetë gjenetikisht me vetëm rreth 2 për qind. Ky zbulim është pika kryesore e karrierës sime”, shton ai.

Në hulumtim ka marrë pjesë edhe biologu holandez Freek Vonk, i cili pak ditë më parë ka publikuar në Facebook një video të fundit të një takimi me një specie të sapo zbuluar gjarpri gjigant.

“Videoja tregon anakondën më të madhe që kam parë ndonjëherë. Është e trashë sa një gomë veture, tetë metra e gjatë dhe peshon mbi 200 kg – me një kokë sa e imja”, ka shkruar ai.

Deri më tani, katër lloje të anakondës janë njohur, duke përfshirë anakondën e gjelbër (e njohur edhe si anakonda gjigante). Anakondat jeshile janë gjigantë të vërtetë midis zvarranikëve. Femrat më të mëdha mund të rriten në më shumë se shtatë metra dhe peshojnë mbi 250 kilogramë.

Këto kafshë janë përshtatur mirë për jetën e kaluar kryesisht në ujë. Vrimat e hundës dhe sytë e tyre janë në majë të kokës, kështu që ata mund të shohin dhe të marrin frymë ndërsa pjesa tjetër e trupit të zhytet.

Kanë ngjyrë ulliri, me njolla të mëdha të zeza, gjë që u lejon atyre të përzihen me mjedisin e tyre. Anakonda e gjelbër lëviz lehtësisht nëpër ujë dhe mund të sulmojë gjahun e madh si drerët.

Këto krijesa nuk janë helmuese. Ata e kapin prenë me nofulla të mëdha dhe fleksibël, më pas e mbytin dhe e shtypin me trupin e tyre të fuqishëm përpara se ta gëlltisin.

Hulumtimi, i titulluar Shpërndarja e Anakondave: Zbulimi i një specie të re jeshile dhe rimendimi i të verdhave, është publikuar në revistën MDPI Diversity. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat