Shkup, vijon dyndja përpara bankave dhe dyqaneve - Bota Sot
Shkup, vijon dyndja përpara bankave dhe dyqaneve

Shkupi

Shkup, vijon dyndja përpara bankave dhe dyqaneve

Më: 9 prill 2020 Në ora: 18:15
Foto ilustrim

Në ditën e dytë prej kur në fuqi janë masat e reja që ora policore në ditë pune të fillojë në ora 16.00, kryeqyteti duket më i qetë. Lëvizjet e këmbësorëve në Qendër të Shkupit dhe në Çarshinë e Vjetër është janë më të reduktuara. Në orët e paraditës, vërehen më pakë qytetarë që dalin për ajrosje dhe që pushojnë në stolat e parqeve.

Shumica e qytetarëve mbajnë doreza dhe maska, por ka edhe nga ata që nuk përdorin asnjë mjet parandalimi. Lëvizja më e madhe e banorëve të kryeqytetit bëhet me automjete.

Qytetarët thonë se masat e reja duhet të respektohen, megjithatë kërkojnë që të ketë mundësi lëvizjeje edhe në fundjavë.

“Është qetë, heshtje dhe kështu duhet të jetë. Vetëm ajo që tërësisht është e ndaluar të shtunën dhe të dielën nuk është ashtu siç duhet. Duhet të paktën një orë ose dy të ketë mundësi për të dalë në barnatore ose për dikë që ka harruar të blejë ndonjë ushqim.”

“Normalisht që duhet të respektohen masat dhe është shumë në rregull. Tash është më mirë edhe njerëzit janë më të vetëdijshëm.”

“Janë pak të tepruara, të paktën le ta lëshojnë edhe një orë. Të paktën të jetë të shtunën, njerëzit fillojnë të jenë nervozë, do të bëjnë gabime.”

Por, vazhdon grumbullimi i qytetarëve para bankave. Për dallim nga ditët e tjera, sot vërehet përgjegjësi më e madhe, duke u respektuar distanca.

“Presim, mirë është, mbajmë distancë, u përmbahemi rregullave, mes nesh merremi vesh sa metra larg të qëndrojmë.”

“Mbajmë distancë, por disa që se kuptojnë nuk kontrollohen mes veti. Ja po presim me numër ne, por ka 40 minuta ose një orë. Ka disa edhe më shumë që presin.”

“Krejt është në rregull, e shihi edhe vetë, distanca është e madhe, ka rend, ka rregull. Mu më pëlqen. Jemi në këtë situatë që jemi dhe duhet t’i respektojmë.”

“Tash për momentin mirë është, respektohen. Tash mbasi që e ka thënë e gjithë bota se duhet të mbrohemi prej armikut të padukshëm, duhet të mbrohet secili.”

Me masat e fundit të sjella nga Qeveria, qytetarët edhe të premten do të mund të lëvizin deri në ora 16.00, prej kur edhe fillon ora policore e cila do te zgjasë deri të hënën në ora 5 të mëngjesit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat