A ka rrugëdalje kriza politike? Ku po e çon vendin përplasja Rama-Basha?

Shqipëria

A ka rrugëdalje kriza politike? Ku po e çon vendin përplasja Rama-Basha?

Më: 28 mars 2019 Në ora: 21:23
Carlo Bollino tha se nuk kishte informacione mbi një takim të mundshëm të kreut të opozitës me Presidentin

Opozita zhvilloi këtë të enjte protestën e radhës, ku parashtroi të njëjtat kërkesa të saj. Ndërkohë, kreu i qeverisë Edi Rama nuk lëviz nga pozicioni i tij, duke e lënë ende vendin në një krizë politike. A do të ketë rrugëdalje nga kjo krizë?

A janë takuar Basha dhe Meta ndoshta për të diskutuar për negociimin e zgjidhjes së kësaj krize?

I ftuar në studion e “Open”-it nga Eni Vasili, Carlo Bollino tha se nuk kishte informacione mbi një takim të mundshëm të kreut të opozitës me Presidentin e Republikës.

“Por edhe nëse ka pasur, pozicionet e tyre nuk janë të ndryshme, kanë përputhshmëri dhe janë në opozitë që të dy”, tha Bollino.

Basha nga ana e tij quajti njerëzit e pranishëm në shesh gjatë protestës si “parlamenti” i vetëm që njeh opozita e bashkuar, duke etiketuar ata që ndodheshin pas krahëve të policisë si “banda më famëkeqe e hajdutëve” që ka parë Europa e pasluftës, me në krye “kryehajdutin” që e etiketoi si Maduro i Ballkanit, duke iu referuar kryeministrit Rama.

Megjithatë, deputët Hajdari dhe Koka duket se po bëjnë përpjekjet e tyre të fundit për të krijuar grupet e reja parlamentare të PD dhe LSI në Parlament.

Ndërkohë, supozimet për një përçarje të mundshme mes aleatëve në opozitë, kreu i Partisë Agrare-Ambientaliste, Agron Duka i dha fund, duke thënë se edhe vet ishte i pranishëm në protestë dhe se e mbështet protestën dhe kauzën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Për rrugëzgjidhjen, mendoj se kemi ende pozicione ekstreme, me opozitën që thotë se jemi në krizë nga më të rëndat, ndërsa qeveria që thotë se jemi në një situatë krejt normale. Kështu që e shoh të vështirë të gjendet një zgjidhje aktualisht”, tha Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat