Tenderat e Bashkisë Gjirokastër, nga 31 kontrata të prokuruara, 16 vetëm me një subjekt në garë

Shqipëria

Tenderat e Bashkisë Gjirokastër, nga 31 kontrata të prokuruara, 16 vetëm me një subjekt në garë

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 15:52
Pamje nga video

Tenderat pa garë janë një procedurë e konstatuar pothuajse në të gjitha institucionet publike. Në këtë listë nuk bën përjashtim as Bashkia e Gjirokastrës.

Nën drejtimin e Flamur Golemit, kjo Bashki ka prokuruar 31 kontrata, dhe në 16 prej tyre në fund të procedurës ka ngelur vetëm një subjekt në garë.

Që nga korriku i vitit të shkuar, kur Golemi u zgjodh kryebashkiak, e deri më tani, në 12 tendera pjesëmarrësit janë skualifikuar duke lënë në garë vetëm 1 subjekt që automatikisht është shpallur dhe fituesi.

Në këtë mënyrë është vepruar edhe në qershor të këtij viti për Ujësjellësin e Lazaratit me fond limit 223.8 milionë lekë.

Referuar të dhënave publike për këtë kontratë kanë shfaqur interes 3 kompani, dy prej të cilave janë skualifikuar pasi nuk kishin paraqitur ofertë.

I vetmi i mbetur në garë, bashkimi i operatorëve “B93 II” Shpk, “Alba Konstruksion” Shpk dhe “Meteo” shpk u shpall fitues i kësaj kontrate me ofertën prej 223.3 milionë lekë.

Në 4 raste të tjera, për procedurat e zhvilluara pjesëmarrës rezulton të ketë qenë vetëm 1 subjekt, që automatikisht është shpallur edhe fituesi.

Ky institucion nën drejtimin e Flamur Golemit për 31 procedurat e zhvilluara në një vit e gjysëm ka prokuruar më shumë se 290 milionë lekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat