Saga e 6 vrasjeve/ Ja pista kryesore e hetimit për ekzekutimin e sotëm në Rrëshen

Shqipëria

Saga e 6 vrasjeve/ Ja pista kryesore e hetimit për ekzekutimin e sotëm në Rrëshen

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 21:00
Ilustrim

Anton Keli, 51-vjeçari i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qytetin e Rrëshenit,  është nipi i familjes Gjini, e përfshirë në një zinxhir vrasjesh me një familje tjetër po në Rrëshen për çështje të kokainës.

Dyshohet se në automjetin e tij ishte bashkëshortja dhe fëmijët, ndërsa në momentin kur ka zbritur për të shkuar në një supermarket, është qëlluar nga persona ende të panjohur.

Viktima punonte si taksixhi në zonë dhe nga hetimet e para dyshohet se para atentatit ai po ndiqej nga autorët e krimit.

Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes. Anton Keli besohet se është viktima më e fundit e sagës së përplasjes me armë midis familjeve Reçi dhe Gjini në zonën e Rrëshenit.

Më 15 shtator, në Tiranë iu bë atentat Preng Gjinit, makina e të cilit shpërtheu në një nga rrugët më të ngarkuara në zonën e Komunës së Parisit. Ai mbeti i plagosur rëndë.

Më 7 janar të këtij viti, u ekzekutua në mënyrë mafioze Kastriot Reçi. Ai ishte viktima e pestë në tri vitet e fundit në Rrëshen. Në vitin 2017, Reçit i vranë vëllanë, në mes të Romës në Itali.

Në prill të atij viti, Gaspër Reçi, 43 vjeç, i cili jetonte prej vitesh në Romë, u vra nga 4 të shtëna me pistoletë, nga një distancë e afërt. Dy plumba e goditën në këmbë dhe dy në kokë, duke i marrë jetën në vendin e ngjarjes.

Ngjarja e ndodhur në zonën “Tor Vergata” të kryeqytetit italian dyshohej si një vrasje e mirorganizuar dhe e studiuar më parë nga autorët.

Viktima, para se të qëllohej për vdekje, ka qenë duke lëvizur në këmbë drejt shtëpisë së tij, ndërsa një automjet tip “Smart” e ka ndjekur pas deri pranë banesës. Makina i është afruar dhe autorët e kanë thirrur para se ta qëllonin.

Në momentin që Gaspër Reçi ka ndaluar dhe është kthyer përballë personave që ndodheshin në “Smart”, është qëlluar me armë zjarri. Ai ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa makina është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Sajmir Jaku, drejtor i Tensionit të Lartë në OSHE për Veriun, u vra më 9 shtator 2016. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje zyrtarin, ndërsa nga të shtënat me armë edhe një person tjetër mbeti i plagosur. Policia tha se Sajmir Jaku është qëlluar me kallashnikov kur ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit me një shok.

Pas vrasjes, autorët braktisën automjetin tip “BenzMercedes” në një fshat të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan. Ngjarja mbeti e pasqaruar, edhe pse për hetimin e saj u angazhua Policia dhe Prokuroria me gjithë burimet e tyre njerëzore.

Me dhjetëra veprime hetimore u kryen për disa muaj me radhë, por përfundimisht ngjarja ka mbetur pa autorë. I vetmi fakt që dihet është se autorët e atentatit kanë qenë dy persona.

Një tjetër krim që u dyshua se kishte lidhje me këtë serial hakmarrjeje, ishte vrasja e ndodhur më 28 prill 2017 në Itali, ku u ekzekutua shtetasi Gaspër Reçi, i cili u qëllua me katër plumba. Policia dyshonte se vrasja e Gaspër Reçit mund të ishte kryer si hakmarrje për vrasjen e Sajmir Jakut.

Më 6 shtator të po atij viti, vritet 31-vjeçari Kreshnik Gjini në komunën e Forestit të Belgjikës. Gjini ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Gaspër Reçit në Romë. Në lidhje me tri ngjarjet, mësohet se Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit ka shkëmbyer informacione e prova me Policinë belge dhe atë italiane.

Policia shqiptare u përfshi në hetimet për vrasjen e 31-vjeçarit Kreshnik Gjini, i cili u ekzekutua më 6 shtator 2017 në Belgjikë. Ka qenë Policia belge ajo që ka kërkuar ndihmën e Policisë shqiptare për hetimin e ngjarjes, e cila dukej se kishte lidhje me një serial vrasjesh e hakmarrjesh të ndodhura edhe në vendin tonë.

Më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48- vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Hetuesit, nga ana tjetër, nuk përjashtojnë pistën e gjakmarrjes, pasi familja e tij është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë. Por, nisur nga mënyra e ekzekutimit, e cila i ngjan stilit mafioz, hetuesit thonë se ka pak gjasa që të bëhet fjalë për hakmarrje. Në konsideratë është marrë dhe një pistë e tretë, që ka të bëjë me dyshimet e vrasjes për shkak të borxheve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat