U ndalua nga policia/ Mërtiri: Më fshinë videot ku policia po godiste qytetarët

Shqipëria

U ndalua nga policia/ Mërtiri: Më fshinë videot ku policia po godiste qytetarët

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 13:04
Ergys Mërtiri

Ergys Mërtiri, një nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, thotë se arsyeja e vetme përse u shoqërua dje në Komisariat ishte për fshirjen e videove që dëshmonin dhunën policore.

Mërtiri rrëfen se ia morën telefonin me dhunë. Dhe vetëm kur doli nga ambientet e Komisariatit nr.1, konstatoi se pamjet e tij filmike ishin fshirë.

Sipas aktivistit, bëhet fjalë për video mbi 15 minuta të cilat tregojnë se si Policia është brutale, kërcënuese dhe e dhunshme me qytetarët, pa kurrfarë arsyeje.

‘Unë jam marrë në Polici dhe kur i pyesja se për çfarë po më merrnin, thonin ta shpjegojmë në Komisariat. Nuk ma tregonin, ndërkohë që më kishin marrë telefonin me dhunë. Dhe kur shkova në Komisariat, më dhanë telefonin dhe më nxorën.

Aty vura re se videot e mia ishin fshirë. Ka shpëtuar vetëm një video ku Donaldi ishte live në faqen e Aleancës. Por të gjitha videot e tjera, që kanë zgjatur mbi çerek ore, ku po ushtrohej dhunë ndaj qytetarit dhe forcë, janë fshirë.

Njëri thoshte që e kam krahun e lënduar nga protesta për vrasjen e 25-vjecarit Rasha, ndërsa ata ia përthyenin më keq.

Videot u fshinë sepse tregonin të gjithë brutalitetin e Policisë, si kërcënonin të tjerët përreth, si godisnin. Ishte për të shmangur provat e egërsisë së tyre. Unë kështu e mendoj, se nuk ka asnjë arsye pse duhet të merresha në Polici.

I thashë që jam gazetar dhe kam të drejtë. Ky shtet është policor. Janë shenjat e një shteti që nuk është në shërbim të qytetarit, por që ushtron një detyrë politike për të bërë zap qytetarët’, - u shpreh Ergys Mërtiri.

Risjellim në vëmendje se artistët kanë paralajmëruar sot pasdite, në orën 18:00, një protestë përballë Ministrisë së Brendshme, pikërisht për dhunën e ushtruar ndaj tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat