Politikanët shqiptarë urojnë Krishtlindjet për besimtarët e krishterë

Shqipëria

Politikanët shqiptarë urojnë Krishtlindjet për besimtarët e krishterë

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 18:48
Mbrëmjen e sotme kremtohet lindja e Krishtit

Mbrëmjen e sotme kremtohet lindja e Krishtit, një natë e bekuar për të gjithë besimtarët e krishterë anë e mbanë botës.

Sigurisht që me rastin e kësaj feste, nuk mund të mungonin edhe urimet e politikanëve shqiptarë.

Lulzim Basha/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar besimtarët katolikë pas këtij viti të vështirë që kaluam si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Basha: Kjo Krishtlindje nuk është e zakonshme. Gjatë këtij viti kemi kaluar vështirësi të mëdha, kemi përjetuar dhimbje dhe ndarje fizike dhe kemi ndjerë mall për më të dashurit tanë. Por në të njëjtën kohë, kemi patur mundësi të shohim më qartë ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar realitetin tonë.

Le të shohim me shpresë përpara, sepse siç thuhet edhe në librat e shenjtë, pas errësirës vjen drita. Si një familje e madhe të ndërtojmë me dhembshuri dhe kujdes për njëri-tjetrin të sotmen dhe të nesërmen tonë.

Gramoz Ruçi/ Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi me anë të një mesazhi të gjatë, ka shprehur urimet e tij për të gjithë shqiptarët. Ruçi ka thënë se pas muzgut të pandemisë, po agon dita që vjen prej dashurisë dhe dëshirës për jetën.

Ruçi: Mesazhi i Krishtlindjeve është më i fuqishëm dhe më domethënës se asnjëhere në jetën e brezave që sot festojnë: familja, besimi, ndihma, solidariteti, mirënjohja, komuniteti, përkushtimi dhe mirësia janë sfiduesit më të mëdhenj të pandemisë. Pas muzgut që shkaktoi pandemia, po agon drita që vjen prej dashurisë, forcës njerëzore dhe dëshirës për jetën. Te fuqia dhe bukuria e besimit të zbulojmë bukurinë e dashurinë njerëzore.

Le të vazhdojmë t’i nxjerrim jashtë jetëve tona armiqsitë, konfliktet, individualizmin, egoizmin dhe teprimet dhe t’i kushtohemi mbrojtjes së jetëve njerëzore.

Pasioneve dhe egocentrizmit t’u kundërvemë përkushtimin për të ndihmuar, shëruar, shërbyer e shpëtuar jetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat