Tenderat e vitit 2021, kryesojnë punët publike në prag zgjedhjesh dhe pandemia

Shqipëria

Tenderat e vitit 2021, kryesojnë punët publike në prag zgjedhjesh dhe pandemia

Më: 2 janar 2021 Në ora: 14:15
Tenderat

Në ditën e fundit të vitit që lamë pas, institucionet kanë nxituar të shpallin njoftimet e tyre për tenderat që priten të zhvillohen përgjatë vitit 2021.

Listën e kryesojnë punët publike, kryesisht për garantimin e ujit dhe energjisë në qytete e fshatra të ndryshme në të gjithë vendin, tenderat për garantimin e bazës materiale sa i takon zgjedhjeve si dhe nevojave për përballimin me ilaçe dhe oksigjen të pandemisë së COVID-19. 

Ndonëse një vit i vështirë sa i takon financave, kjo edhe për shkak të pandemisë së COVID-19, institucionet nuk kanë lënë pa shfrytëzuar edhe ditën e fundit të vitit që lamë pas, për të shpallur njoftimet e tyre për tenderat që pritet të realizojnë përgjatë 2021-it.

Në buletinin e prokurimeve publike të datës 31 dhjetor 2020, në sektorin e procedurave të hapura për punë publike, pjesa më e madhe e njoftimeve kanë të bëjnë me investime në fushën e energjisë, garantimit të furnizimit me ujë, dhe ndërtim sistem kanalizimesh në bashki të ndryshme të vendit.

Në 2021 pritet që të ketë ndërtim ujësjellësash dhe rrjeti kanalizimesh në disa bashki si Lezhë, Peqin, Sarandë, Ksamil, Rrogozhinë, Himarë, Poliçan, Pogradec, Bulqizë e Pustec.

Në fushën e energjisë, pritet rikonstruksion i një sërë kabinash elektrike, si dhe linjash të tensionit të mesëm dhe të lartë.

Sa i takon kategorisë mallra, spitalet rajonale kanë shpallur kërkesat e tyre për oksigjen, nisur nga pandemia e COVID-19 dhe premtimi i qeverisë për ngritjen e pavijoneve COVID edhe në Spitalet Rajonale.

Viti 2021 është gjithashtu një vit elektoral. Në buletinin e fundit të vitit 2020 Komisioni Qendror Zgjedhor ka shpallur gjithashtu kërkesat e tij për prokurim të bazës materiale për zgjedhje, ku përfshihet bojë, vula si dhe materiale kancelarie.  

Në kategorinë e procedurave të hapura vendet e para vazhdojnë t’i zënë shërbimet e sigurisë dhe ruajtjes fizike me roje private si dhe blerja e karburantit për nevoja të institucioneve.    

Ndonëse universitetet janë të mbyllura, disa prej tyre kanë kërkuar shërbim dezinfektimi për mbrojtje nga COVID-19.

Zgjedhjet dhe pandemia, pritet të jenë dy sfidat e Shqipërisë për vitin 2021, sfida rreth të cilave duket se janë përqendruar edhe investimet.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat