Aksidentet me vdekje të Janarit, Vaksina e Kryeministrit dhe Sondazhet 56%-she të Piepolit

Shqipëria

Aksidentet me vdekje të Janarit, Vaksina e Kryeministrit dhe Sondazhet 56%-she të Piepolit

Nga: Ermal Mulosmani Më: 5 janar 2021 Në ora: 16:47
Ermal Mulosmani

Ditët e para të vitit të ri u shoqëruan me batërdinë e aksidenteve ku shumë shqiptarë humbën jetën ose u plagosën rëndë. Rrugët problematike, shoferët kamikazë dhe mungesa e kontrollit policor prodhuan video horror me djegie e përplasje si në filma hollivudianë.

Këto jetë të humbura (një 27 vjeçar nga Vlora, një 24 vjeçar nga Lezha dhe një 36 vjeçar nga Elbasani dhe një 62 vjeçar nga Përmeti) dhe të plagosurit e pafund të Laçit, Lezhës, Elbasanit, Vlorës, Tiranës, Belshit etj, janë prioritet vetëm i kronikës së zezë, jetët e tyre janë vetëm numra në statistikat e aksidenteve fatzeza të Janarit. Për këto vdekje, përgjegjës (sipas shtetit) janë kryesisht viktimat athua shteti nuk përzihet në luftën e tyre me adrenalinën që buron prej sasive të larta të alkoolit në gjakun e nxehtë mesdhetar.

Ne jemi në situatë pandemie, ora 20.30 ka ndalim qarkullimi, lokalet mbyllen, nuk ka festa, nuk ka lëvizje. Megjithatë Korça, Dardha, Voskopoja u stërmbushën me makina të ardhura prej Tirane që të harbojnë një natë…

Edhe për këtë shteti nuk ka lidhje është zgjedhje e tyre…

Po mirë, pse na duhet shteti? A mundej shteti të merrtë masa për të parandaluar fatkeqësitë? Fjala vjen të mbushte rrugët me policë. Plot policë, në çdo 20 kilometër ose edhe më shumë. Që masin sasinë e alkoolit, vënë gjoba,  dhe marrin patenta ose edhe ndëshkojnë penalisht? A mund të paralajmërohej kontrolli policor dhe ndëshkimi i shoferëve që shkelnin kodin rrugor?

Shqipëria ka më pak se 10 mijë km rrjet rrugor dhe po kaq policë. Nëse do kishte postblloqe policie në çdo 20 kilometër rrugë të këtij rrjeti, do mjaftonin 500 policë në gjithë Shqipërinë.  Le të themi 1500 policë të ndarë në tre turne. Për 5 ditë. Kjo do të ishte një kontribut fantastik i shtetit në ndihmë të të qeverisurve të tij të papërmbajtur në pije dhe adrenalinë. Por kur të shkon në mendje që vetë Kryeministri i këtij vendi ka deklaruar në televizion për qytetarët e tij: “Kokën e njëri tjetrit hëngshin” vjen e të kristalizohet situata.

Ministri i Brendshëm duhet të japë dorëheqjen për këto aksidente më shumë sesa për vrasjen e një polici të papërgjegjshëm. Fundja vrasja tragjike e 25 vjeçarit Rasha kishte pak të bënte me punën e tij. Ndërsa vdekja e këtyre 4 qytetarëve që përmenda më lart (mund të jenë edhe më shumë) ka të bëjë bash drejtpërsëdrejti me punën e Ministrisë që ai drejton.

Ajo që e bën edhe më tragjike situatën është qëndrimi mirëkuptues i  opozitës ndaj këtyreë aksidenteve. Një shofer i pirë në rrugë është një vrasës me autobombë. Nuk dihet se ku do të shpërthejë. Nëse shteti nuk na mbron jemi në mbretërinë e xhunglës. Nëse nuk e bën për kamikazin ta bëjë për ne që respektojmë rregullat.

Por kujdes, shteti po merret me çështje më të mëdha se këto vdekjet e Janarit. Ai po merret me Vaksinën!

2.

Kur them Ai kam parasysh sinonimin e shtetit tonë, Kryeministrin. Pak a shumë kjo është e vërteta, shumica prej nesh kur themi shteti kemi parasysh Atë. Në daljen e Vitit të Ri, Ai dha sihariqin, ka siguruar një numër prej 500 mijë vaksinash për popullsinë e tij 3 milionëshe. Si një furnitor “i shkathët” ndërmarrjeje, Ai ia atribuoi vetes aftësinë prej tyxhari për të negociuar me depon ndërkombëtare të farmacisë.

Duke lënë mënjanë faktin që Kryeministri i Shqipërisë flet si tregtar dallaveraxhi shumice që është “njëshi” kur vjen puna për të lypur, gjetja qoftë edhe një vaksine është një lajm për tu duartrokitur. Kështu që, mënjanë seriozitetin e shtetit, edhe sikur t’i kishte grabitur me thyerje depoje ato vaksina, unë nuk do kisha bëza kundër tij. Janë ditë të vështira mbijetese ku nuk mund të kërkojmë vetpërmbajtje dhe etikë.

Por a na e sigurojnë jetën këto vaksina? Këtu pastaj hyjnë në punë llogaritë…

Duke ditur që çdo njeri për tu mbrojtur nga virusi do dy doza vaksine, i bie që vetëm 250 mijë njerëz do të vaksinohen. Ose 1 në 12 njerëz. Popullsia e Shqipërisë mbi 65 vjeç, sipas censusit të 2020 është rreth 430 mijë njerëz. Kur e mendon edhe mënyrën se si do mbërrijë vaksina në Shqipëri, kushtet specifike të mbajtjes në temperaturë të ulët, mungesën e përvojës të stafit mjekësor e me dhjetëra yçkla të tjera, arrin në konkluzionin se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga virusi është ajo e vjetra dhe më e sigurta, distancimi social, maska dhe evitimi i grumbullimeve. Marketingu elektoral i vaksinës kurrsesi nuk duhet të ulë kujdesin. Në vend që të bëjë mirë, lajmi i vaksinës  ka rrezikun që të shtojë rastet dhe vdekje nga pakujdesia.

Probabiliteti që një 50-65 vjeçar të marrë vaksinën gjatë vitit 2021 është afër zeros! Kujtoj se këto mosha janë rreth 600 mijë njerëz të mjaft të rrezikuar nga virusi. Përveç tregut të zi, miqve apo kondrabandës. Virusi do të jetë i pranishëm mes nesh edhe të paktën një vit. Prandaj miq, ruani veten, sepse, si në rastin e aksidenteve të Janarit, faji do të jetë i juaji ekskluziv, jo i shtetit. Ai ka vetëm meritat.

3.

Mediat afër pushtetit na kanë gostitur këto ditë festash edhe me sondazhet e Piepolit sipas të cilave Kryeministri ynë do të fitojë 56% të votave të shqiptarëve. Që i bie diku te 840 mijë vota ose 75 mijë vota më shumë sesa në 2017-ën…

Hajde mos pi pastaj e të bëhesh tapë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat