Liroi të dënuarit “VIP”, ILD nisi sot “marrjen në pyetje” të gjyqtares së Krujës

Shqipëria

Liroi të dënuarit “VIP”, ILD nisi sot “marrjen në pyetje” të gjyqtares së Krujës

Më: 8 janar 2021 Në ora: 12:21
Enkeleda Hoxha

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani asistoi sot në seancën dëgjimore në Këshillin e Lartë Gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës për masën disiplinore “shkarkim nga detyra” për magjistraten Enkeleda Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Metani u shpreh dakord me kërkesën e magjistrates, e cila i kërkoi kohë KLGJ-së për të përgatitur parashtresat e saj për raportin hetimor të paraqitur nga ILD.

Seanca e rradhës dëgjimore do të zhvillohet më 29 Janar ora 11.00.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimin ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha pas raportimeve në media të vendimeve për lirimin e Hekuran Billës, Ilir Pajës dhe Endrit Dokles. ILD regjistroi më pas edhe një hetim disiplinor.

Ilir Paja, i dënuar më 17 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kërkoi lirim të parakohshëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë tre herë brenda vitit 2017. Ndërsa dy prej kërkesave u rrëzuan, kërkesa e tretë u pranua nga gjyqtarja Hoxha.

Në janar, gjyqtarja Enkeleda Hoxha vendosi të lironte me kusht Endrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm si anëtar i Bandës së Durrësit për një sërë akuzash.

Më herët, përmes 7 vendimesh të tjera, ajo i ka llogaritur Dokles kohë paraburgimi shtesë nga viti 2012 deri në vitin 2014 dhe i ka njohur atij përfitimin e 4 viteve ulje dënimi nga 3 amnisti radhazi dhe një ulje tjetër dënimi.

Në shkurt të vitit 2019, Hoxha vendosi të lirojë me kusht edhe Hekuran Billën, i cili ishte dënuar në vitin 2008 me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për një vrasje të kryer në 2006-ën.

Pas ekstradimit për vuajtjen e dënimit në Shqipëri, Gjykata e Apelit Tiranë e uli dënimin në 25 vite burg në vitin 2016 dhe në shkurt 2019, gjyqtarja Enkeleida Hoxha vendosi lirimin e tij. Një vit e gjysmë më pas, Billa u ekzekutua me armë zjarri në Tiranë.

Kjo është kërkesa e dytë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e një gjyqtari në detyrë. Më 10 dhjetor, KLGJ pranoi kërkesën e ILD dhe vendosi shkarkimin e gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat