Murati: Politika nuk e ka parë si problematikë shpopullimin, duhet rritur standardi i jetesës

Shqipëria

Murati: Politika nuk e ka parë si problematikë shpopullimin, duhet rritur standardi i jetesës

Më: 14 janar 2021 Në ora: 21:38
Erl Murati

Në një intervistë për Ora News, gazetari Erl Murati u shpreh se lidhur me shpopullimin e vendit, një pjesë e institucioneve në vend nuk e kanë ngritur si një problematikë.

Murati tha se nga pikëpamja individuale ata që largohen ikin për një jetë më të mirë dhe e gjejnë këtë jetë më të mirë.

Por Murati shtoi se qeveria duhet të shohë nga aspekti shtetëror dhe jo ai individual, që të mos kemi një largim  masiv nga vendi, sepse kemi shifra të ngjashme vendet si Siria.

Murati: Ikjen e popullsisë nga vendi, vitet e fundit, nga një pjesë e mirë e institucioneve të vendit nuk është ngritur si një problematikë, por është parë si një proces normal i lëvizjes së popullsisë. Sigurisht që nuk mund të kesh një politikë që ndalon në mënyrë kategorike lëvizjen e popullsisë, sepse është normale dhe e natyrshme që ata të ikin për në jetë më të mirë. I takon klasës politike dhe qeverisë, që të krijojë kushtet të nevojshme dhe të favorshme që ata të rrinë këtu. Ne e dimë se çfarë impakti ka largimi i të rinjve nga vendi.

Nga pikëpamja individuale ata që largohen ikin për një jetë më të mirë dhe e gjejnë këtë jetë më të mirë. Por këtë situatë në aspektin afatgjatë e vuan kombi në aspektin ekonomik dhe në raport me largimin e trurit. Infermierët dhe mjekët janë larguar në mënyrë masive, që do të japin efekte negative afatgjatë. Qeveria duhet të shohë nga aspekti shtetëror dhe jo ai individual, që të mos kemi një largim masiv nga vendi, sepse kemi shifra të ngjashme vendet si Siria që janë në konflikte ushtarake. Kjo gjë kërkon një zgjidhje nga të gjitha palët politike.

Murati shtoi se për ta ndaluar këtë fenomen duhet të ketë një standard jetese dhe të kemi një shëndetësi normale, si dhe një arsim që prodhon punësim e të përgatit për jetën.

Murati:  Emigrimi nuk është një fenomen që e hasim vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin, por çështja ëhstë që qeveria të mos e lërë në rënie të lirë këtë fenomen. Sigurisht që lëvizja krijon zhvillim, por duhet punuar për disa komponentë për një jetë normale në vendin tonë. Kjo pasi, në Gjermani një mjek merr një pagë që është sa 3-fishi i asaj që merr në Shqipëri, atëherë atë nuk mund ta ndalosh. Duhet të ketë një standard jetese dhe të kemi një shëndetësi normale, si dhe një arsim që prodhon punësim e të përgatit për jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat