Spitalet plot, Arbër Zaimi: Te covid-2 pasdite 8 pavione menaxhohen vetëm nga një mjek

Shqipëria

Spitalet plot, Arbër Zaimi: Te covid-2 pasdite 8 pavione menaxhohen vetëm nga një mjek

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 22:48
Arbër Zaimi

Strategjia e vaksinimit dhe situata në spitalet covid në Shqipëri ishte tema e emisionit mbrëmjen e sotme në “As pro, as kundër” të drejtuar nga Robert Aliaj në ABC. Deputetja socialiste Klodiana Spahiu nuk i pranoi kritikat për renditjen e Shqipërisë në rajon kur vjen puna e nivelit të vaksinimit, pasi tha se Tirana nuk ka pranuar doza ruse dhe kineze, pasi janë të pacertifikuara nga EMA dhe FDA.

“E kam përjetuar shumë keq periudhën e tërmetit, tani ndodhi kjo që ndodhi. Kjo kontratë vaksinimi nuk qenka shumë e thjeshtë, vërtetë ka ecur Serbia shumë shpejt, por a do të pranonte realiteti ynë një vaksinë të pa certifikuar nga EMA (Agjencia Evropiane e Medikamteve) dhe FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA). Ne kemi përdorur një strategji për të pranuar vaksinat e certifikuara dhe kjo ndoshta na ka penalizuar në numër. Nuk mendoj se jemi me ritëm të ngadaltë” tha ajo.

Analisti Arbër Zaimi u shpreh se në spitalin covid-2 ka mungesë mjekësh. Ai tha se shtretërit në këtë spital janë plot, por pasdite 8 pavionet i menaxhojnë vetëm një mjek dhe dy praktikantë.

“Shqipëria është më keq se të gjitha vendet rrotull për menaxhimin e pandemisë, afër pikut, kulmit 98%, afër pikut të saj. Te covid-2 dy pas orës 2-3 pasdite kur ndryshohet turni është një mjek dhe 2 praktikantë që menaxhojnë 8 pavione. Ky nuk është menaxhim i mirë. A ka bërë thirrje shteti për ndihmë? Nuk po bëhet. Janë shtretërit plot. Më vjen keq se ne po na duket normale kjo situatë. Duhet të krahasohemi me vendet rrotull” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat