Përplasja për zyrat e FRD, reagojnë përfaqësuesit e opozitës: Provokim i Ramës

Shqipëria

Përplasja për zyrat e FRD, reagojnë përfaqësuesit e opozitës: Provokim i Ramës

Më: 12 mars 2021 Në ora: 17:21
Foto ilustrim

Ditën e sotme, policia e shtetit dhe e bashkisë së Tiranës kanë kërkuar të bastisin zyrat e partisë opozitare, Fryma e Re Demokratike.

Policia ka ushtruar dhunë ndaj drejtuesit të FRD, Sali Shehu dhe ka tentuar nxjerrjen me forcë të tij dhe drejtuesve nga godina.

Kreu i FRD ka njoftuar Presidentin Meta për atë që po ndodhte dhe kreu i shtetit ka shkuar në zyrat e FRD, ku dhe në prani të tij policia po dhunonte drejtuesit e FRD.

Për këtë ngjarje të paprecedentë kanë reaguar dhe drejtuesit e opozitës.

Kreu i PAA, Agron Duka shprehet se ky është një akt arbitrar.

“Një akt arbitrar që tregon mënyrën abuzive me të cilën vepron Edi Rama, për sa kohë FRD ishte në koalicion me PS-në, nuk ua prekte zyrat, tani që ka kaluar në opozitë i ushtrojnë presion duke i larguar nga zyrat. Ky është një provokim që synon përkeqësimin e klimës zgjedhore, një sulm politik për të shmangur vëmendjen nga dështimi katastrofik i Edi Ramës nëpërmjet goditjeve të tilla. Unë i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagoi mbi këtë sulm politik, I cili është në vijmësi të përpjekjeve të Edi Ramës për të kompromentuar zgjedhjet e 25 prillit, sikurse e kam denoncuar në rastin e Shijakut, ku krimi dhe përfaqësues të Rilindjes vijojnë simbiozën e tyre në kurriz të zgjedhjeve të lira”, tha Agron Duka.

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se ngjarja e sotme tregon se nuk kemi shtet, por bandë.

“Ky s’është shtet, por një grup banditësh që veprojnë në Shërbim të Edi Ramës. Largimi nga zyrat i një partite politike, kushdo qofte ajo, në fushate është akt kriminal që tregon se Rama nuk do ndalet në rrugën e tij të manipulimit të zgjedhjeve prandaj shqiptarët duhet të bashkohen me një front me çdo qëndër votimi për t’i përballur me manipulatorët dhe regjimin e Edi Ramës”, tha Fatmir Mediu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat