VOA: Shkarkohet gjyqtarja që liroi të dënuar, KLP do vendosë për prokurorin

Shqipëria

VOA: Shkarkohet gjyqtarja që liroi të dënuar, KLP do vendosë për prokurorin

Më: 17 mars 2021 Në ora: 19:34
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi sot shkarkimin e Gjyqtares Enkelejda Hoxha

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi sot shkarkimin e Gjyqtares Enkelejda Hoxha, pas kërkesës së bërë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Kërkesa për shkarkim lidhet me disa vendime të gjyqtares, që kanë çuar në lirimin e personave me emër të botës së krimit. Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, i është referuar, lirimit para kohe të Hekuran Billës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Angli. Në shkurt të vitit 2019, ndërsa i kishin mbetur 10 vite burg për t’u shlyer, gjyqtarja Hoxha, i fali atij 5 vite burgim, ndërsa 5 vite të tjera iu konvertuan në shërbim prove. I transformuar në një biznesmen, Billa mbeti i vrarë në një atentat në qershor të vitit të shkuar.

Një muaj më parë gjyqtarja e Krujës u arrestua, pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën dyshimet se kundrejt ryshfeteve, ajo jepte vendime për ulje të dënimit për disa të burgosur.

Gjykatësja Hoxha është magjistratja e dytë, që pas kërkesës së ILD-së, u shkarkua për vendimet për lirim para kohe me kusht të të dënuarve. Ndërsa një tjetër gjyqtar është shkarkuar po nga KLGJ, pas një hetimi disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Vendimi i sotëm i KLGJ-së, vjen ndërkohë që një tjetër proces paralel ka nisur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për Prokurorin e Krujës Bujar Memia, po për rastet për të cilat u kërkua shkarkimi i gjyqtares Hoxha. Vetëm në rastin e lirimit të Hekuran Billës, prokurori Memia, sipas ILD-së, rezulton të ketë “mbyllur sytë” ndaj të paktën 4 shkeljeve që janë vërejtur nga ana e gjykatëses.

“Hetimi i kryer nga ILD arrin në konkluzionin se shkeljet disiplinore janë kryer nga ana e magjistratit Bujar Memia, me “dashje direkte””, u shpreh një ditë më parë, zoti Metani, në seancën e zhvilluar nga KLP për rastin.

Sipas ILD-së veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga magjistratit Bujar Memia, përbëjnë, sikundër dhe në rastin e gjykatëses Hoxha “Shkelje shumë të rëndë disiplinore” dhe që diskrediton pozitën dhe figurën e magjistratit gjatë ushtrimit të detyrës, dhe duhet të jepet masa disiplinore“Shkarkim nga detyra”.

Nga ana e tij, prokurori Memia dhe përfaqësuesit e tij ligjor kërkuan rrëzimin e kërkesës se ILD-së, duke e cilësuar atë si të pabazuar në ligj dhe në fakte.Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pritet të dalë me një vendim në fund të këtij muaji./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat