U arrestua për vrasje në Elbasan, kush është Ardian Çapja: I shpëtoi atentatit me snajper

Shqipëria

U arrestua për vrasje në Elbasan, kush është Ardian Çapja: I shpëtoi atentatit me snajper

Më: 29 mars 2021 Në ora: 08:59
Foto ilustrim

Ardjan Çapja është arrestuar mëngjesin e sotëm në Elbasan. Policia ka shpallur në kërkim edhe Florenc Çapjan. Ata akuzohen se në vitin 2012 në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë, Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri, babë e bir.

Në qershor të vitit 2020, Çapja i shpëtoi mrekullisht një atentati që iu bë në vilën e tij në Kodër Krastë të Elbasanit.

Kjo ngjarje është ende e pazbardhur ndërsa dyshohet se erdhi për shkak të një zinxhiri hakmarrjesh mes Çapjave dhe disa grupeve të tjera në Elbasan, të cilat kanë zënë fill që prej vitit 2005 kur u ekzekutua në lokal vëllai i Ardjan Çapjas, Sokoli.

Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë shoqëruar disa herë, ndërsa në vitin 2017 u ka shpëtuar dy atentateve me armë dhe eksploziv. Prej vitesh familja Çapja ka qënë e akuzuar si e përfshirë në botën e krimit duke humbur nga atentate dhe ekzekutime të ngjashme edhe shumë familjarë.

53-vjeçari, Çapja ka qënë i arrestuar më parë për vrasje të punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Këtë vit atij i shkoi edhe formulari për vetëdeklarimin nga OFL-ja, ku shkruhej se Ardiani dyshohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura për motive hakmarrjeje. Gjithashtu dyshohet se ai së bashku me të afërm të tij ka kryer vrasje me pagesë, në periudhën 2009-2016.

Në vitin 2016 ai u arrestua sëbashku me Florenc Çapjan dhe Bledar Muçën pasi qëlloi më armë ndaj policisë. Gjykata e shpalli Ardianin të pafajshëm. Ajo ishte hera e parë, që ai u prezantua publikut. Edhe pse me serum në dorë, ai sërish ka bërë çdo gjë që t’u shmangej kamerave. Në një moment ai ka ngritur mbi kokë edhe bluzën e kuqe që mbante veshur, për të mos lënë asnjë gjurmë tijën në rrjet, duke fituar edhe titullin “i heshturi”.

Por përveç akuzave ndaj tij deri më tani nuk ka asnjë provë. Ligjërisht ai është pronari i hotel Univesit në hyrje të qytetit të Elbasanit dhe vijonte i qetë jetën si biznesmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat