Epidemiologu i njohur: Mbyllja e shkollave e pabazuar, lërini fëmijët arsimohen, të jetojnë

Shqipëria

Epidemiologu i njohur: Mbyllja e shkollave e pabazuar, lërini fëmijët arsimohen, të jetojnë

Më: 29 mars 2021 Në ora: 17:52
Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti

Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti shprehet se mbyllja e shkollave me argumentin e parandalimit të përhapjes së COVID-19 ishte vendim i pabazuar. Ai i referohet një studimi në Itali që ka dalë në përfundimin se mbyllja e shkollave nuk ka përmirësuar uljen e koeficientit të riprodhimit të COVID-19. Nisur nga rezultatet e kërkimit, epidemiologu kërkon që “të pranojmë që problemi i përhapjes së COVID-19 jemi ne, të rriturit, e le t’i lëmë fëmijët të qetë që të jenë fëmijë e të luajnë, të takohen, të arsimohen, të jetojnë”.

“Miqtë e mi, një prej vendimeve më të rënda të marra në kuadrin e panikut dhe të pabazuara në evidencë, ishte mbyllja e shkollave dhe kalimi i mësimit online. Mund të mirëkuptohen ndoshta vendimet e një viti më parë, kur shumëçka ishte e panjohur, por muaj më pas informacioni ishte i plotë dhe i konfirmuar nga ECDC, CDC dhe OBSH që shkollat nuk ishin vatra të rëndësishme të përhapjes së SARS-CoV-2.

E megjithatë shumë shtete vazhduan vazhdën e vendimeve të pabazuara në evidencë, duke mbyllur plotësisht apo pjesërisht shkollat. Nga ana tjetër, efektet negative të mbylljes së shkollave mbi fëmijët dhe adoleshentët i njohim shumë mirë:

reduktim i aktivitetit fizik,

reduktim i ndërveprimit social,

reduktim i mirëqenies psikologjike,

probleme psikopatologjike,

risku i obezitetit,

risku i vartësisë nga celulari/tableti/kompjuteri,

mosmbrojtja nga abuzimi në shtëpi, dhe

problemet e performancës së mësimnxënies.

Të gjithë e kishim të qartë që fëmijët dhe adoleshentët nuk e vuanin sëmundjen aq shumë, por u fshehëm pas gishtit duke thënë: “ua ngjisin të tjerëve”!

Mirëpo herët e vonë çdo e vërtetë del në pah!

Kërkuesit italianë kanë studiuar në detaj të dhënat e 7.3 milionë nxënësve dhe të mësuesve në shkollat e tyre dhe kanë publikuar të dhënat në The Lancet më 26 mars 2021.

Është studiuar periudha 30 Shtator 2020 – 28 Shkurt 2021 që përkon me valën e dytë të Italisë.

Gjetjet kryesore:

Hapja e shkollave nuk është shoqëruar me rritje të koeficientit rt të sars-cov-2.

Mbyllja e shkollave nuk është shoqëruar me ulje të koeficientit rt të sars-cov-2.

Incidenca e sars-cov-2 te nxënësit ishte më e ulët se në popullatën e përgjithshme.

Incidenca te mësuesit ishte e njëjtë me popullatën e të njëjtës moshë.

Gjetje mbi infeksionet dytësore:

Infeksionet dytësore në shkollë janë <1% dhe, ndër këto, vetëm në 5-7% janë gjetur vatra me mbi 2 raste dytësore.

Infeksionet dytësore të mësuesit janë të rralla.

Kur ndodh, mësuesit infektohen më shpesh nga një mësues tjetër se sa nga një nxënës (raport 3,7 : 1).

Autorët dalin në përfundimet e rëndësishme që:

Hapja e shkollave nuk duhet konsideruar si faktor i rëndësishëm i përhapjes së COVID-19.

Mbyllja e shkollave nuk ka përmirësuar uljen e koeficientit të riprodhimit të COVID-19.

Të dhënat mbështesin më tej konsolidimin e nocionit që risqet e shkaktuara nga mbyllja e shkollave janë më të mëdha se përfitimet.

Pra, miqtë e mi, le të pranojmë që problemi i përhapjes së COVID-19 jemi ne, të rriturit, e le t’i lëmë fëmijët të qetë që të jenë fëmijë e të luajnë, të takohen, të arsimohen, të jetojnë” shkruan ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat