Kolegji Zgjedhor shkurton listën e koalicionit të PD!

Shqipëria

Kolegji Zgjedhor shkurton listën e koalicionit të PD!

Më: 30 mars 2021 Në ora: 10:08
Foto ilustrim

Kolegji Zgjedhor vendosi dje me shumicë votash të shkurtojë listën e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit. Kështu në zgjedhjet e ardhshme, PD-ja nuk do të ketë 222 kandidatë në garë për 140 vende në Parlament, por do të ketë 153 të tillë.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor i dha fund përballjes që nisi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në fillim më 8 mars selia blu depozitoi në KQZ listën shumemërore me 222 kandidatë, por vetëm pak ditë më vonë KQZ ia ktheu listën PD-së për të plotësuar dokumentacionin dhe të shkurtonte listën.

Por, sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së, Ivi Kaso ,në mbledhjen e radhës së KQZ-së argumentoi se ligji zgjedhor cakton vetëm minimumin e kandidatëve sa duhet të jetë dhe jo maksimumin. Por, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi interpretoi ndryshe ligjin zgjedhor dhe vendosi që të shkurtonte listën e PD-së. Nisur edhe nga qëndrimet publike ishte e kuptueshme që PDja do ankimonte vendimin e Komisionerit Celibashi dhe ashtu ndodhi. PD—ja apeloi vendimin e Komisionerit në Komisionin e Sanksioneve dhe Ankesave. Në këtë degëzim të KQZ-së votat ishin ndarë barazim, dy ishin kundër vendimit të Celibashit, ndërsa dy të tjerë pro. Ishte vota e ish-deputetit të PD-së Ilir Rusmajli që rrëzoi vendimin e Celibashit.

Ndonëse Rusmajli u shpreh se lista duhet të ishte me 153 kandidatë në votim, ai u rreshtua në krahun e opozitës, duke pranuar listën e PD-së me 222 kandidatë. Tashmë ishte radha e PS-së që do të ndiqte procedurat ligjore, pasi ishte kundër këtij vendimi. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, apeloi vendimin e KAS-it në Kolegjin Zgjedhor. Dhe vetëm ditën e djeshme, Kolegji Zgjedhor i dha fund sagës së numrit të kandidatëve në lista, duke e lënë numrin maksimal 153 duke nxjerr nga gara 69 kandidatë të opozitës.

REAGIMI

Në përfundim të seancën në Kolegjin Zgjedhor përfaqësuesi i PS-së Eridian Salianji u shpreh se me vendimin e kolegjit nuk fitoi PS-ja, apo humbi PD-ja, por sipas tij kolegji barazoi skuadrat e garës.

Ndërsa nga ana tjetër, sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së Ivi Kaso përmes një postimi në “Facebook” u shpreh se vendimi i Kolegjit Zgjedhor u ndikua nga politika. Megjithatë, ai tha se PD-ja e njeh vendimin.

“Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për listën e deputetëve nuk është vendim që respekton ligjin elektoral. Ndalimi i opozitës për t’u përfaqësuar në zgjedhje me lista të plota është i ndikuar politikisht nga interesi politik i partisë në pushtet. Jemi të keqardhur për këtë vendim që nuk i shërben ligjit dhe interesit publik, por ne besojmë se rezultati në fund të procesit zgjedhor do të tregojë se opozita është shumica politike në vend. Pavarësisht se vendimi i Kolegjit nuk është në përputhje me ligjin, ne do ta respektojmë atë dhe do të vazhdojmë betejën tonë për fitoren e zgjedhjeve në 25 prill, për t’u sjellë shqiptarëve ndryshmin që duan dhe meritojnë”, shprehet Kaso.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat